Ky është Ded Dokaj 44 vjeç, shqiptari që u gjet i vrarë në Spanjë pasditen e së mërkurës (27 Mars). Viktima u gjet i ekzekutuar me një plumb në kokë brenda automjetit që ishte braktisur pranë një lumi.

Ded Dokaj ishte denoncuar i zhdukur ditën e hënë më 25 Mars. Ndërsa 3 ditë më parë,

tvklan.al

ka mësuar se 44-vjeçari kishte festuar ditëlindjen së bashku me familjen dhe të afërmit e tij. Ded Dokaj me origjinë nga Puka ishte baba i dy fëmijëve dhe jetonte prej 20 vitesh në shtetin spanjoll në zonën e Mazarron.

Sipas informacioneve që ka mësuar

tvklan.al

, në Spanjë jeton edhe vëllai i viktimës, i cili ka emigruar aty para më shumë se 20 vitesh. Ded Dokaj vinte shpeshherë në Shqipëri për të takuar të atin dhe për t’u kujdesur për të. Në vendin tonë, 44-vjeçari nuk rezulton të ketë asnjë precedent penal.

Ndërsa, të paqarta dhe misterioze mbeten shkaqet e ekzekutimit të tij në Spanjë. Nga të afërm të viktimës, tvklan.al ka mësuar se i ndjeri ishte një njeri i rregullt dhe nuk ka pasur probleme në komunitetin ku ai banonte. Ded Dokaj punonte si truprojë në lokale nate, dhe sipas mediave spanjolle, një konflikt i mundshëm në punë mund të jetë një nga shkaqet e vrasjes. Megjithatë, të gjitha pistat e autoriteteve spanjolle janë të hapura dhe ende nuk ka asnjë të dhënë konkrete.

Sipas shtypit spanjoll, 44-vjeçari ishte tortuar para se të vritej me një plumb në kokë. Nuk është e qartë nëse viktima u ekzekutua brenda makinës në zonën e Totanas aty ku u gjet trupi i pajetë, apo është vrarë në vend tjetër dhe trupi u transportua më pas pranë rrjedhës së lumit Guadalentin. Ciladoqoftë, hetuesit janë të bindur se vrasja e shqiptarit i ngjason stilit mafioz.

/tvklan.al