Histori me zhurmues – Të gjithë e njohin “Lulin e voçërr”, personazhin e Migjenit. Por pakush nga e di që “Luli i voçërr” apo “Zeneli”, dy personazhet e skicave të Migjenit bëjnë fjalë për një personazh real. Zenel Islami ishte një prej personazheve që u vra në rrethana misterize më 8 Korrik të vitit 1961. I ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço ishte i biri i Zenelit, gazetari dhe shkrimtari Bedri Islami, i cili tregoi historinë e familjes së tij dhe kalvarin e vuajtjeve të tyre.

“Zeneli ishte një fëmijë që u rrit në një zonë në krahinën e Iballës në Pukë, por prejardhjen e ka nga Shkreli i Malësisë së Madhe. Ai kishte fatin e madh të ishte nxënës i Migjenit. Ai po ashtu kishte fatin të ishte shumë pranë Migjenit si shërbëtor shkolle. Migjeni përmes një letre drejtuar ministrit të Arsimit të asaj kohe i kërkoi që ky nxënës të ishte ndihmësi i tij. Në përshkrimin që i bën Migjeni në prozën e tij, Zeneli ishte nxënësi ideal. Migjeni e përshkruan atë si tokë të pleshme ku fara e hedhur zë, rritet dhe jep fryt më tepër nga sa pritet. Që në rrjeshtat e para ai tregoi mendimin e tij për këtë nxënës. Me përshkrimin që Migjeni i bën duket se ka patur të bëjë me një nxënës jo të zakonshëm. Vetëm një gjeni i letrave shqipe si Migjeni mund të bënte atë parashikim të jashtëzakonshëm për Zenelin.

Në rrjeshtat e fundit Migjeni shkruante:” Shpeshherë më pëlqen të mendoj mbi ardhmninë e Zenelit, por ç’e do. Nuk mjafton vetëm vullneti im që ta bëj Zenelin të hipë në majat e nalta ku shpërthen horizont e dritë. Lere Zenelin të jetojë jetën stërgjyshore e primitive”.

Ajo që parashikoi Migjeni në vitin 1937 ndodhi më 8 Korrik të 1961.

Në vitin 1944 Zeneli  si shumë të rinj në atë kohë u bashkua me çetën e Mirditës. Pas çlirimit në 45 me ndërhyrjen e Nako Spiros emërohet sekretar i komitetit të Partisë së Pukës dhe ishte vetëm 20 vjeç. Atij iu desh të përballej me analfabetizmin. Periudha për të në Pukë sa ka qenë e bukur ka qenë edhe e vështirë. Goditjen e parë ai e mori pikërisht në Pukë në fund të vitit 1951. Mendoj se dosja e tij është ngritur më përpara. Dosjen unë kam patur rastin ta shikoj dhe mbi bazë të tij kam shkruar librin “Vrasja e Lulit të voçërr”. Shpesh njerëzit bënin lidhjen me të përmes prozave të Migjenit, kjo bëri që të mos jetë shumë i dashur për kohën. Është interesante një letër që është edhe në veprat e asaj kohe ku thuhet që Zeneli u vu nën përpunim pa marrë miratimin e Komitetit qëndror të partisë.

Zeneli ishte një personazh në varfëri të skajshme që u bë personazh politik real me të cilin socializmi mund të mburrej.

Pas vitit 1952 ndodh një fenomen jashtëzakonisht i çuditshëm. Sekretari i dytë i komitetit të partisë Zef Gashi përjashtohet nga partia dhe shefi i sigurimit të Pukës që kishte krijuar dosjen për tim atë emrëohet shef i degës së brendshme të Shkodrës. Një vepër e ndaluar në bazë të ligjeve të asaj kohe. Kjo ka qenë periudha më e vështirë për të. Kur ai u kthye nga studimet në Moskë emërohet në Elbasan sekretar i komitetit të partisë së rrethit. Mendoj se babai im ishte njeri i pakohshëm për kohën që jetonte. Ai ishte i pazakontë për kohën, nuk pranoi vilën që i dhanë, nuk pranoi të kishte shoqërues dhe mbrëmjeve dilte shëtitje me familjen e tij. Ai u bë kryetar komiteti në Elbasan deri më 8 Korrik. Kjo qe dita më e mjerueshme e jetës së tij dhe e familjes tonë. Atë ditë ne ishim në Belsh të Elbasanit. Atë ditë na ka bërë përshtypje që im atë ka shëtitur me nënën time në liqenet e Belshit. Siç tregon nëna ime, ai kishte filluar të ndjente trazira. Atë natë në darkë ai refuzoi të shkontë në Labinot sepse aty do të vinte një njeri me të cilin ai kishte patur probleme të përhershme dhe ishte zv.ministri i Brendshëm. E morën në telefon sërish, por ai sërish refuzoi të shkonte. Në herën e tretë erdhën udhëheqësit e partisë, ndër ta edhe zv. ministri i cili i tha: Ngaqë jam unë nuk vjen?

Atëherë ai u detyrua të shkonte. Para se të shkonte i tha nënës se të nesërmen do vinte shoferi dhe do të na merrte edhe ne për në festë. Por të nesërmen shoferi nuk erdhi. Më vonë erdhi në shtëpi kryetarja e gruas së rrethit dhe mori nënën time për shëtitje. Ajo që vumë re ne edhe pse ishim të vegjël ishte grumbullimi i njerëzve rreth pallatit dhe shikonin. Pas drekës erdhi sekretari i partisë së rrethit Arif Peqini dhe i thanë nënës që kishin ardhur për një ngjarje të jashtëzakonshme. Njëri prej tyre i tha nënës se Zeneli ka vrarë veten. Këtu filloi kapitulli më i rëndë për familjen e tij. Nëna pyeti me se e vrau veten? Ata i thanë me pistoletën e tij. Por nëna shkoi në dhomën e gjumit dhe solli pistoletën e tim eti të mbështjellë dhe iu tha që pistoleta e tij ishte në shtëpi. E çuditshmja është që tek ne erdhën pas orës 14 të drekës, ndërkohë dajën tim në Shkodër e kishin lajmëruar që në 7 të mëngjesit. Atë natë nëna ime kërkoi që të niseshim në Shkodër dhe sëbashku me arkivolin në makinë u nisëm. Në Kërrabë na ndalojnë dhe e zbresin arkivolin me pretekstin se do ta sillnin në momentin e fundit. Ne nuk e kishim parë trupin e tij. Të nesërmen është bërë varrimi. Trupin e tij u lejua ta shohë vetëm nëna ime dhe 2 dajallarët. Ata vunë re se kishte një plumb në anën e majtë, ndërkohë që babai im shkruate me dorën e djathtë, këtu lindën dyshimet e para. Por ai kishte edhe 4 plagë të tjera në trup. Dy dajat e mi kërkuan edhe një herë rishikimin e trupit sepse ishin të bindur për atë çfarë kishte ndodhur.

Gjithçka ishte e përgatitur. Ngjarjet që ndodhën më pas ishin tronditëse”,tha Bedri Islami.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv