Zhdukja misterioze e sipërmarrësit italian Davide Pecorelli, vijon të pasurohet me elementë të rinj, që këtë herë në fakt nuk vijnë nga Shqipëria, por nga një prej aktiviteteve të themeluara nga 45-vjeçari, fati i të cilit prej 6 Janarit nuk dihet ende.

Mediat italiane raportojnë se pasditen e së enjtes në dyqanin “Parrucchieri Milano”, që ndodhet krah hyrjes kryesore të një qendre tregtare, shkuan punonjës të gjykatës së Arezzo-s, të cilët i ftuan të gjithë të pranishmit të dilnin jashtë, para se të sekuestronin biznesin në fjalë për shkak të falimentit. E gjithë skena ndodhi ndërkohë që në dyqan kishte punonjës e klientë.

Mediat italiane shkruajnë se nuk dihet ende motivacioni që çoi në marrjen e këtij vendimi. As nëse kjo ka lidhje me zhdukjen e Pecorelli-t, tashmë ish-drejtues i dyqanit, pasi prej disa muajsh ky biznes ishte në emër të partneres shqiptare të tij.

Bizneset e tjera të 45-vjeçarit që ndodhen mes San Giustino, Città di Castello dhe Corciano vijojnë aktivitetin.

Ndërkohë sa i përket zhvillimeve për zhdukjen e biznesmenit italian, gjatë orëve në vijim pritet që në Shqipëri të mbërrijë një ekspert piroteknik italian, ndërsa përgjigjet e analizës së ADN-së, mediat fqinje raportojnë se ato do të dërgohen të hënën në Perugia.

Zhdukja e Davide Pecorelli-t vijon të mbetet një mister, i cili ka angazhuar si autoritetet shqiptare ashtu edhe ato italiane. Një ditë më parë, mediat fqinje raportuan se prokuroria e Perugia-s po heton në dy pista, zhdukjen e qëllimshme ose vrasje.

Një pikëpyetje që është ngritur nga mediat që ditët e para kur u raportua zhdukja e Pecorelli-t, ka qenë pikërisht gjendja financiare e bizneseve të tij. Kjo është parë edhe si arsye përse italiani udhëtonte shpesh drejt Shqipërisë ku dyshohet se po përpiqej të shtrinte biznesin e tij.

Përpara se të nisej për Shqipëri, 45-vjeçari i kishte treguar një miku se në vendin tonë do të takohej me një mjek, në tentativë për t’i shitur një lazer të gjeneratës së fundit. Një tregti e cila do të kushtonte rreth 70 mijë euro./tvklan.al