Zbardhet itinerari i lëvizjes para ngjarjes

Ky është Davide Pecorelli, ish-arbitër futbolli në Itali dhe më pas biznesmen që është zhdukur pa lënë gjurme prej 12 ditësh në vendin tonë. Makina e marrë me qira prej tij u gjet e djegur në 6 Janar nga policia e Pukës pranë një hoteli. Makina Skoda ishte marrë me qira nga 45-vjeçari në aeroportin e Rinasit.

Ai rezulton se ka ardhur në Shqipëri më datën 3 Janar, ku ka shkuar të takojë bashkëshorten shqiptare në Vlorë, me të cilën ka edhe një fëmijë. Burime nga grupi hetimor thanë se në datën 4 Janar ka shkuar në një hotel në Pukë, ku ka qëndruar deri mëngjesin e 6 Janarit.

Pikërisht në rrugën Gjegjan-Reps makina ka marrë flakë nga shkaqe ende të panjohura dhe brenda saj u gjetën, përveç disa sendeve personale të biznesmenit italian edhe mbetje kockore. Për të zbardhur identitetin e tyre policia i ka dërguar eshtrat në Itali për një ekspertizë më të thelluar ndërsa pritet të kryhet edhe analiza e ADN-së.

Në makinën e djegur u gjet edhe një valixhe me produkte kozmetike, me të cilat Pecorelli kishte hapur biznese në Shqipëri dhe Itali. Ai prej vitesh kishte planifikuar hapjen e biznesit të kozmetikës në vendin tonë dhe sipas bashkëshortes, të marrë në pyetje nga policia, kishte ardhur për të qëndruar gjatë.

Në makinën e djegur nuk ka shenja plumbash apo goditje. Disa janë pistat ku po heton policia duke nisur nga djegia e makinës për shkaqe aksidentale. Po verifikohen edhe dyshimet e një ngjarjeje kriminale, apo një skenari të biznesmenit italian për të humbur gjurmët.

Ngjarja ka bërë jehonë edhe në mediat italiane. Televizionet e gazetat raportojnë se ngjarja është mbuluar me mister dhe të gjitha dyshimet të çojnë tek Davide Pecorelli.

Tv Klan