Mediat italiane publikojnë detaje të reja

Mediat italiane kanë publikuar detaje të reja për zhdukjen në Shqipëri të sipërmarrësit Davide Pecorelli, pronar i disa bizneseve në fushën e estetikës dhe ish-arbitër në Arezzo.

Kështu, La Nazione shkruan këtë të hënë se për 45-vjeçarin nuk dihet më asgjë që prej 6 Janarit, kur mori një makinë me qira në Tiranë, e cila u gjet tërësisht e djegur natën mes 7 dhe 8 Janarit në Pukë, në një zonë të izoluar mes maleve, në afërsi me Kosovën.

Burime të policisë lokale për mediat italiane konfirmojnë se hetimet mbi fatin e ‘turistit të huaj’ po vijojnë dhe nuk përjashtohet asnjë pistë. Hetimet mësohet se po ndiqen edhe nga Interpol. Nuk është ende e qartë nëse brenda makinës Skoda Fabia janë gjetur ose jo pjesë njeriu.

Fakt, thotë La Nazione, është se partnerja e tij, një shqiptare e cila jeton në Valtiberina, i ka sjellë policisë sende personale të sipërmarrësit, të nevojshme për krahasimin e ADN-së.

“Nuk di nëse Davide i ka shkelur në kallo dikujt“. Kjo është fjali që partnerja e tij, e prekur, i ka thënë dhjetëra punonjësve të parukerisë në pronësi të tyre, në qendrën tregtare në Valtiberino.

Por përse kishte ardhur Pecorelli në Shqipëri? Kohët e fundi ai mësohet se udhëtonte shpesh drejt vendit tonë, për çështje biznesi, kryesisht për tregtinë e lazerave për qendrat estetike dhe produktet e flokëve. Mbi të gjitha lazerat janë makineri të kushtueshme, e mesa duket mes Tiranës dhe Vlorës, Pecorelli po përpiqej që të gjente klientë.

Gjithnjë sipas mediave italiane, kjo lëvizje e 45-vjeçarit duket se vinte edhe për shkak se në Itali, biznesi nuk po i shkonte mirë si pasojë e gjendjes së krijuar nga pandemia.

Ish-arbitri kishte probleme si me hotelin me dy yje në Lama, ashtu sikurse edhe me qendrat estetike dhe dyqanet e parukerive në San Giustino, Sansepolcro, Città di Castello dhe Corciano.

Hetimet në vendin tonë për zhdukjen e 45-vjeçarit i konfirmoi edhe policia shqiptare për Tv Klan./tvklan.al