Mbetet mister ngjarja në qytetin e Elbasanit ku ditën e sotme u gjet një person i pajetë në lagjen “Visarion Xhuvani”. Gazetari i Klan News, Fatos Salliu, raportoi se tek viktima janë konstatuar dëmtime të forta në pjesën e mbrapme të kokës si dhe prerje të damarëve në pjesën e duarve. Po ashtu, viktima është gjetur pa këpucë dhe zbathur.

Grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes ku ka nisur verifikimet për këtë ngjarje të rëndë. Gazetari raportoi se duke iu referuar të dhënave paraprake që kanë të bëjnë me dëmtimet në trupin e kufomës mendohet se ai është vrarë. Megjithatë, nga ana e policisë nuk përjashtohet edhe mundësia e një vetëvrasjeje, sipas Salliut.

Trupi i pajetë është transportuar për në morg ku po i nënshtrohet ekzaminimeve të thelluara. Ngjarja e rëndë u raportua në lagjen “Visarion Xhuvani”, por dyshohet se viktima nuk banonte aty, por në një lagje tjetër të Elbasanit. Identiteti i tij nuk është zbuluar ende

Ndërkohë në njoftimin paraprak të policisë thuhet se viktima është e seksit mashkull rreth moshës 70-80 vjeç.

Informacioni paraprak i policisë:

Në lagjen “Vullnetari”, Elbasan, shërbimet e policisë kanë konstatuar në anë të rrugës pa shenja jete një shtetas të seksit mashkull rreth moshës 70-80 vjeç.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e personit të pajetë dhe shkakun e humbjes së jetës.

/tvklan.al