Misteri, Paladino: Çfarë nënkuptonte Davide Pecorelli me SMS-në për 70 mijë Euro?



Misteri, Paladino: Çfarë nënkuptonte Davide Pecorelli me SMS-në për 70 mijë Euro?

10:48 02/02/2021

Biznesmeni italian Davide Pecorelli ka ardhur në Shqipëri më datë 3 Janar 2021, ndërsa më datë 6 Janar makina e tij u gjet duke u djegur në rrugën Gjegjan-Reps të Pukës. Që prej atij momenti, 45-vjeçari italian rezulton i zhdukur, teksa pritet ekspertiza mjeko-ligjore e mbetjeve kockore që u gjetën brenda makinës së djegur.

Për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka folur miku i Davide Pecorellit, Fabrizio Paladino, i cili është një gazetar në Itali. Ai ishte i pari që botoi lajmin për zhdukjen e Pecorellit në Shqipëri.

Në intervistën me gazetarin Spartak Koka, Paladino tha se biznesmeni italian Pecorelli kishte ardhur në Shqipëri për të shitur një makineri lazeri për qendrat estetike me vlerë 70 mijë Euro. Por për këtë marrëveshje, ai thekson se nuk dihet asgjë. Madje ngre dyshime të forta se çfarë nënkuptonte Pecorelli me marrëveshjen 70 mijë Euro për makinerinë e lazerit.

Gazetari italian Paladino tregon gjithashtu se Pecorelli kishte folur edhe me një mjek për këtë shitje, por nuk është arritur të identifikohet akoma se për cilin mjek bëhet fjalë.

Spartak Koka: Për cilat arsye biznesi kishte ardhur në Shqipëri Davide më datën 3 Janar? Dhe në dijeni tënde, përse udhëtoi drejt Pukës?

Fabrizio Paladino: Kjo është një pyetje shumë e bukur, në sensin që ende nuk e dimë…dimë vetëm siç dini edhe ju që ai kishte një aktivitet…kishte hapur në Gusht të 2020 një aktivitet në Vlorë për shitjen e materialeve për qendrat estetike. Më rezulton sepse ma tha një miku i tij që ai kishte ardhur këto ditë në Shqipëri, në datë 3…ishte shoqëruar nga një miku i tij i cili për momentin e ndihmon në drejtimin e hotelit ishte shoqëruar nga Balaba nga vendi i tij në komunën e San Xhustino deri në Romë për të marrë avionin dhe të mbërrinte në Tiranë. E dija që do merrej me shitjen e një makinerie, të një lazeri për qendrat estetike një mjeku…një makineri me vlerë të rëndësishme flitet rreth 70 mijë Euro edhe pse ditët e fundit ka dalë lajmi nga mediat tuaja se për këtë marrëveshje dhe për këtë mjek nuk ka gjurmë…Ai ka ardhur në Tiranë dhe më pas ka ikur në Vlorë më pas në Shkodër ku ka takuar disa persona. Misteri është të kuptojmë përse nga Shkodra ai ka shkuar në Pukë dhe ka qëndruar gati 3 ditë përpara zhdukjes edhe pse nuk rezulton që të ketë patur punë në atë zonë të vendit tuaj.

Spartak Koka: Miku i tij është arritur të identifikohet?

Fabrizio Paladino: Jo ishte një mjek, mesa rezulton deri tani nuk është identifikuar unë e di që miku që më sinjalizoi për diçka të tillë ma ka thënë në mirëbesim pasi kishin folur me njëri-tjetrin dhe kishin dërguar disa mesazhe me WhatsApp. Ndoshta Davide donte të thoshte diçka tjetër ose do të kishte dashur të thoshte diçka tjetër por është fakt që për këtë marrëveshje nuk ka asnjë gjurmë. /tvklan.al







Të ngjashme