Histori me zhurmues – Ai ishte një nga personazhet kryesorë të luftës Nacionalçlirimtare dhe të themelimit të Partisë Komuniste shqiptare. Bëhet fjalë për një nga figurat politike të viteve 40-50, Tuk Jakova. Gjatë Luftës Naciopnalçlirimtare, Tuk Jakova ishte komisar i brigadës së parë sulmuese, pas çlirimit anëtar i komitetit qëndror dhe i byrosë politike, deputet, zv. Kryeministër, gjeneral, kryetar i Kuvendit Popullor dhe një nga njerëzit më me pozitë të kohës. Për qëndrimet dhe pikëpamjet e tij më 1951, Tuk Jakovën e përjashtuan si anëtar të byrosë politike, ndërsa në vitin 1955 e përjashtuan nga posti i anëtarit të komitetit qëndror të PPSH.

Në Nëntor të po këtij viti, Tuk Jakovën dhe familjen e tij i internojnë në Berat dhe pas disa muajsh e izolojnë në Kalanë e Kaninës në Vlorë. Më 1958 akuzohet për tradhëti të lartë ndaj atdheut dhe dënohet me 20 vjet heqje lirie. Vdiq më 1959 në rrethana që ende mbeten të dyshimta. Në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, gruaja e Tuk Jakovës, Mita Jakova rrëfen historinë e tyre.

“Me Tukun jam njohur në brigatën e parë sulmuese që është formuar më 15 Gusht të vitit 1953. Aty e pashë Tukun për herë të parë që foli si komisar. Unë isha komuniste që në ’42 dhe punoja edhe në qytet. Kur shkova në brigadë me dëshirën time dhe me rekomandimin e komisionit krijuam një çetë shoqesh dhe kishim si komandante Kleopatra Maliqin. Pasi mbaroi mbledhja e brigadës na thanë se brigada e parë do të lëvizë në gjithë Shqipërinë dhe duhet të njoftonim familjet përmes një letre të cilën do ta linim në çadrën e brigadës. Në çadër kam folur me Tukun për herë të parë dhe u prezantuam dhe që në fillim kanë qenë përshtypje të dyanshme shumë të mira. Takoheshim shpesh dhe në Maj të 1944 u fejuam. Tuku ishte i njohur në Shkodër dhe flitet edhe për një rrethim që i është bërë nga Dibra dhe ai ka çarë rrethimin dhe pushkët e tij u dëgjuan në të gjithë Shkodrën. Tuku kishte një intiligjencë dhe intuitë shumë të zhvilluar. Ai kishte shkollim 9-vjeçar por në mënyrë autodidakte kishte një kulturë të konsiderueshme.

Në pleniumin e vitit 1951 është kritikuar për herë të parë si zbutës i luftës së klasave. Për marrëdhëniet me katolikët dhe me klerin Tuku është kritikuar. Në takimin e fundit që ai pati me një prift, Tuku i dha 1000 lekë dhe për këtë i tregoi Enverit dhe ky u bë problem i madh. Pas çlirimit ai u caktua presidenti i sindikatave dhe në fund të 1946 shkoi në Jugosllavi dhe ishte si një largim nga qendra. U kthye në Tiranë më 1948 dhe u zgjosh sekretar i kuadrove. Pakënaqësitë e tij kanë qenë të ndryshme në lidhje me qeverisjen. Ai ishte kundër ngritjes së industrisë së rëndë. Ai kishte parë në Çeki industri të lehta që ata nuk i kishin shumë të nevojshme dhe ai mendoi që ato të silleshin në Shqipëri sepse do të ngrinin ekonominë. Por për këtë ai u kritikua shumë. Në Prill të 1955 unë vazhdova shkollën e partisë dhe në leksion mësuam formimin e partisë dhe duke biseduar me Tukun i tregova se në leksione thuhej se Enver Hoxha është themelues i partisë. Ai u revoltua dhe tha nuk është e vërtetë.

Kjo qe një nga shkaqet që kur u shkrua historia e partisë kërkoi të dilnin çështjet ashtu siç ishin. Kjo e tronditi Enverin se deri atëherë nuk ishte thënë asnjëherë që Enveri nuk është as themelues i Partisë dhe as nuk ishte zgjedhur sekretar i përgjithshëm i partisë. Në Mars të 1943 u bë konferenca e partisë në Labinot ku u zgjodh sekretar i përgjithshëm Enver Hoxha me propozimin e Miladin Popoviçit. Gjatë kohës që Popoviç ka qëndruar në Shqipëri ishte bashkë me Enver Hoxhën dhe ai u bind ta vinte në krye të partisë. Në atë kohë u bë edhe muzeumi i luftës Nacionalçlirimtare dhe Tuku e pa dhe i bëri përshtypje që në atë muze nuk dilnin figurat e luftës, por ata që nuk kishin një meritë të veçantë. Spiro Koleka zinte një vend të veçantë në atë muze ai ishte pjesë e shtabit të përgjithshëm dhe Tuku i tha Enverit se ai meritonte të ishte në krye të byrosë politike dhe se në luftë nuk kishte marë pjesë. Tuku kishte kurajo dhe të drejtën dhe të vërtetën i donte shumë, formalizmin e urrente shumë.

Në konferencën që u mbajt më pas Tuku u ngrit dhe i diskutoi këto probleme, por sapo kishte filluar të flasë Enver Hoxha ishte kollitur dhe dha sinjalin dhe pas fajlimit u bë menjëherë pushimi. Pas pushimit ishte ngritur Nexhmie Hoxha dhe e kishte kritikuar. Që nga ajo konferencë ai filloi të lëvizte i survejuar, nuk i lejohej të largohej jashtë qytetit. Shokët iu larguan dhe nuk e takonin më.

Më pas morën masa dhe na internuan në Berat, Tuku filloi në një zdruktari dhe më pas filloi persekutimi i madh. Në atë periudhë kishim vetëm njëri-tjetrin. Deri më 24 Maj të 1957 kështu vazhdoi dhe atë ditë Tukun e izoluan në Klanë e Klaninës. Më 4 Janar 58 e arrestuan dhe i dhanë dënimin për tradhëti ndaj atdheut dhe agjitacion dhe propagandë. Në takimin e parë me të në burg më thanë që nëse do ta takoja do të ndërpritej takimi dhe më ka mbetur peng që ai më zgjati dorën dhe unë nuk e takova dot. Nuk më hiqet nga mendja ajo ditë. Kurse takimi i fundit ishte vërtetë ngjethës. Jemi takuar më 22 Qershor 1959, isha me fëmijët. Atë e kishte marë malli shumë, vajza sapo kishte filluar të shkruante dhe Tuku i kishte premtuar se do ta puthte për ditëlindje. Ai kërkoi të përqafonte fëmijët, por nuk e lejuan. Atëherë u revoltua jasht mase, fëmijët erdhën të gjithë rreth meje dhe unë i përqafova. Fëmijët filluan të qanin shumë dhe aty kuptuan se babai nuk ishte në punë, por në dhunë, dhunë e cila i shoqëroi gjithë jetën”tha Mita Jakova.

Në vitin 1959 Tuk Jakova çohet nga burgu në spital ku ndërroi jetë në rrethana që edhe sot mbeten enigmatike.

“Në datën 19 Gusht unë shkova për ta takuar, por atë natë më thanë se ishte shtruar në spital. Më thanë se do të operohej nga apandesiti. Më 26 Gusht të 1959 më lajmëruan se është shumë sëmurë. Mora fëmijët dhe u nisa për Tiranë dhe lutesha ta gjeja me frymë. Arrita në ministri ku më priti Filat Muço dhe më tha se Tuku kishte ndërruar jetë. Më tha të shkoja në morg për ta parë, u kapa pas hekurave të spitalit dhe më lëvizte toka nga dhimja e madhe. Prita aty derisa erdhën më morën. Pamja ishte tronditëse, ai ishte i akullt me një copë druri poshtë kokës në vend të jastekut. Çfarë nuk i thashë mbi kokë. Mjaft fole më thanë. Dhe iu ktheva: Këtu nuk jemi përpara hekurave që të thuash mbaroi takimi. Dola e tronditur në oborr. Shkova tek fëmijët dhe ata më pyetën si është babi. Tani iu thash nuk kemi më baba, keni vetëm mamin.

S’është e vërtetë mu kthyen, u tronditën shumë”shtoi Mita.

Lidhur me hipotezat se vdekja e tij nuk qe natyrale dhe nga keqësimi i operacionit Mita Jakova tha:

Në 1991 dolën mendime të ndryshme dhe një nga këto është edhe deklarata e Nikoll Zogarianit i cili na tregoi se ka qenë i shtruar në spitalin e burgut kur kishte shkuar Tuku aty. Në fillim nuk fliste tregon ai, por pas tre ditësh u bë më mirë dhe e kishin marë vesh se ishte Tuku dhe se e kishte operuar doktor Aleko Bozo.

Ndërsa mua më paraqitën në morg Qirjako Lezhën si mjekun që e kishte operuar. Ditën e katërt tregon ai filloi të përkeqësohej dhe deri natën e fundit erdhi një doktor dhe nuk iu kishte kthyer përgjigje. Më vonë tregon ai erdhi Ylvi Vehbiu i cili kishte thënë se nuk ka shpëtim sepse i kishte plasur tëmthi.

Kunati kishte një bisedë me doktor Fejzi Hoxhën i cili tha se nuk kishte nevojë t’i bënin gjë Tukut, vdekja ishte e sigurtë vetëm me hapjen dhe mbylljen e plagës në mënyrë të papastër.

Kjo ishte e vrarë me gjakftohtësinë më të madhe, s’mund të vdesë njeriu nga një apandesit ndërkohë që ishte me shëndet të plotë” përfundoi bashkëshortja e Tuk Jakovës.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al