Paraqitja e mbrojtësit kuqezi ndaj Kilit la përshtypje të mira te drejtuesit bardhezi
Mario Mitaj luajti titullar në sfidën që Shqipëria zhvilloi kundër Kilit në stadiumin “Enio Tardini” të Parmës.
Për ta ndjekur, në tribunë ndodheshin vëzhgues të klubit të Juventusit, që ka interes për shërbimet e mbrojtësit kuqezi.
20-vjeçari tregoi siguri në krahun e majtë, duke konfirmuar sipas sportives torineze Tuttosport, se është një profil dukshëm interesant
Drejtori sportiv i Juventusit, Kristiano Xhuntoli e ndjek prej kohësh. Ai e njeh mirë, por pas ndeshjes të së premtes, lojtari kuqezi po kthehet në objektiv të bardhezinjve.
Te “Zonja e Vjetër” kanë interes pasi mund t’i lejojnë vetes që ta blejnë nga Lokomotiva e Moskës, për më tepër që pagesa e tij nuk do të përbënte problem për klubin bardhezi. Ruset paguan 3 mln Euro për ta blerë nga AEK i Athinës në verën e 2022.
Ishte Edi Reja që besoi te Mitaj, duke e aktivizuar në përfaqësuese në sfidën kundër San Marinos më 31 Mars 2021, kur ishte vetëm 17 vjeç, 7 muaj e 25 ditë.
Xhuntoli mendon se mund të bëjë me Mitajn një goditje të madhe, me një impakt si ajo e yllit të Napolit, Kvara.
Klan News