Mitri Prifti, juristi që dëshmoi në polici kundër Emiljano Shullazit në fillim të Shkurtit, pritet të merret në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Në Policinë e Tiranës, mbrëmjen e 3 Shkurtit, ai dha detaje se si kushëriri i tij, ndërtuesi Jani Zaka, ishte kërcënuar nga Shullazi, i cili donte t’i merrte një parking nëntokësor, me sipërfaqe 1 200 metër katrorë, në rrugën “Sali Butka”.

Javën e kaluar, kur dëshmia e tij u publikua në media, menjëherë pas ndalimit të Shullazit, u largua nga Shqipëria dhe udhëtoi për në Beograd, siç tregon ky dokument i siguruar nga Televizioni Klan.

dokumenti me logo

Tani ai është kthyer sërish në Tiranë dhe do të jetë këtë javë përballë prokurorëve të Krimeve të Rënda për t’u marrë në pyetje.

I pyetur nga Televizioni Klan, në lidhje me dëshminë e dhënë në polici kundër Emiljano Shullazit, Mitri Prifti nuk pranoi të japë detaje: 

“Lerjani organeve kompetente atë punë”.

Në polici, Mitri Prifti nuk ka bërë kallëzim ndaj Shullazit, por ka dhënë vetëm dëshminë si person që ka pasur dijeni për ngjarjen, duke thënë se Jani Zaka është kërcënuar dhe se ishte i frikësuar.

Por pas arrestimit të Shullazit, kushëririt të tij Blerim Shullazit dhe Gilmando Danit, ai e ka ndryshuar qëndrimin e tij.

Juristi ka mohuar që kushëriri i tij të jetë kërcënuar. Po ashtu është shprehur publikisht se Emiljano Shullazi i kishte kërkuar Jani Zakës që ta zgjidhte miqësisht konfliktin me familjen Sinanaj, për parkingun nëntokësor.

Por në procesverbalin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale, të siguruar nga Televizioni Klan, të firmosur, ai ka folur për kërcënim jo vetëm të Jani Zakës, por edhe të tijin, nga Blerim Shullazi.

Pyetje:

Me çfarë numri ju ka marrë në telefon dhe a ju ka kërcënuar në telefon shtetasi Blerim Shullazi?

Përgjigje:

 “Shtetasi Blerim Shullazi më ka marrë në telefon me numrin 0688393159. Më ka sharë dhe më ka kërcënuar duke më thënë: Do më qash në duar. E di çfarë të bëj, por hajde urgjent tek lokali!.

Jani vete tek një lokali i kuq mbrapa qendres “Globe” dhe atje takon personalisht Emiljano Shullazin, ku ai i thotë; “Nesër nga ora 10:00, ta kesh telefonin hapur, do të vijë ky djali i xhaxhait tim të kalojë pak atë pronën në emrin e tij”. Pa i lënë mundësi që ai të flasë, Emiljano i ka thënë të dilte jashtë, pasi kishte mbaruar punë me të”.

Prokuroria e Krimeve të Rënda do të thërrasë edhe ndërtuesin Jani Zaka të dëshmojë, edhe pse deklarata e tij dhe ajo e Mitri Priftit, të dhëna më 3 Shkurt, janë tashmë pjesë e dosjes hetimore.

jani zaka

Në Prokurori do të thërriten të dëshmojnë edhe personat e tjerë, që dyshohet të jenë kërcënuar nga Shullazi, përfshirë edhe biznesmenët, për të cilët Prokuroria thotë se janë gjobitur prej tij.

Në listë për t’u pyetur janë edhe personat, emrat e të cilëve figurojnë në përgjimet e Shullazit dhe miqve të tij.

Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka shtrirë hetimet edhe në Gjykatën e Durrësit, në lidhje me regjistrimin e ish – hotel “Vollgës”, në pronësi të Shullazit.

Pas tre gjyqtarëve, që i dhanë hotelin “Saudi Brothers”, duke fshirë nga hipoteka emrin e Zamir Hasës, nën hetim janë vënë edhe veprimet e Kryesekretares dhe Kancelares së Gjykatës, që i kanë dhënë vendimit formën e prerë, pavarësisht se çështja po shqyrtohej në Gjykatën e Lartë.

Tv Klan