Prej muajsh janë në tensione të larta për shkak të një konflikti në Mesdheun lindor. Kërkimet për naftë e gaz nën ujërat e detit bënë që tonet mes palëve të rriteshin aq shumë saqë të flitej edhe për një përplasje ushtarake.

Megjithatë është sërish tabani i tokës nën ujin e kripur, që këtë herë ka bërë Turqinë dhe Greqinë bashkë. Dy shtetet janë goditur ditën e sotme nga një tërmet i fortë me magnitudë 7 të shkallës Rihter.

Epiqendra ishte në qytetin turk të Izmirit, por dridhjet e fuqishme të tokës janë ndjerë edhe në ishullin grek të Samosit.

Menjëherë pas kësaj ngjarje, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka telefonuar Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan ku i ka shprehur ngushëllimet për jetët e humbura. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka dhënë një mesazh të fortë.

“Sapo fola me Presidentit Erdogan për t’i shprehur ngushëllimet për humbjen tragjike të jetëve nga tërmeti tragjik që goditi dy vendet tona. Pavarësisht diferencimeve që kemi mes njëri-tjetrit, këto janë kohë kur popujt tanë duhet të qëndrojnë sëbashku”, shkruante Mitsotakis në Twitter.

Sipas mediave turke, Erdogan i ka thënë Mitsotakis se vendi i tij është gati për ta ndihmuar Greqinë, nëse është e nevojshme.

“Tragjedia na tregoi se sa afër janë dy vendet tona”, thuhej në një deklaratë të zëdhënësit të presidentit turk.

“Presidenti Erdogan ka udhëzuar të gjitha agjencitë përkatëse që të kontribuojnë në operacionet e shpëtimit. Ne lutemi që të mos ketë viktima të tjerë në Turqi e Greqi dhe u shprehim ngushëllimet e thella të gjithë të prekurve në të dy vendet. Kjo tragjedi na kujton edhe njëherë se sa afër jemi pavarësisht diferencimeve tona në politikë. Jemi gati të ndihmojmë Greqinë nëse është e nevojshme”, tha zëdhënësi i presidentit.

Të paktën 14 persona humbën jetën, ndërsa 427 të tjerë mbetën të plagosur nga lëkundjet e forta sizmike që goditën këtë të premte Turqinë dhe Greqinë. Të dhënat janë paraprake dhe numri i viktimave e të lënduarve mund të jetë më i lartë.

Tërmeti i fuqishëm, që sipas Shërbimit Gjeologjik Amerikan (USGS) ishte me magnitudë 7 të Shkallës Rihter, ra në brigjet turke të Egjeut dhe në veri të ishullit grek të Samos, duke shkatërruar një numër të madh banesash.

Në Izmir, të paktën 12 persona kanë humbur jetën, ndërsa 419 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Në Samos mbetën të vrarë 2 adoleshentë. Ata humbën jetën pas rrëzimit të një muri. Ndërkohë, të paktën 8 persona mbetën të plagosur./tvklan.al