Në ditën e parë të ndalimit të qarkullimit dhe bllokimit të lëvizjes në Greqi, Kryeministri Mitsotakis ka thënë se vetëm në këtë mënyrë do të mund të ulet numri i të infektuarve.

Sipas tij, një ndalim i qarkullimit në këtë periudhë, do të shërbejë që Krishtlindjet në muajin Dhjetor të mos festohen me kufizime shumë të rrepta.

“Është në dorën tonë që ta arrijmë këtë. E di që 3 javët e ardhshme do të jenë të vështira, nuk kam asnjë dyshim se masat që kemi marrë do të respektohen nga qytetarët tanë. Do të ulim numrat e valës së dytë të shpërthimit të pandemisë dhe në Dhjetor do të fillojmë të hapim gradualisht ekonominë dhe shoqërinë”, tha ndër të tjera Kryeministri Mitsotakis.

Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19, Greqia ka vendosur ndalimin e qarkullimit deri në fund të muajit Nëntor. Masa ka hyrë në fuqi ditën e sotme duke filluar nga ora 06:00 e mëngjesit.

Kushdo që shkel rregullat gjobitet me 300 Euro. Qyterarët që dalin nga banesa do të duhet të dërgojnë mesazh në një numër qeveritar për të justifikuar lëvizjen e tyre. /tvklan.al