Kryeministri i Greqisë, Kiriakos Mitsotakis, u është drejtuar sot me një mesazh qytetarëve dhe kërkon prej tyre që të zbatojnë masat anti-covid. Në një video mesazh kreu i qeverisë tha se virusi ende nuk është larguar dhe të gjithë duhet të mësohen të jetojnë me të, për sa kohë nuk ka asnjë vaksinë.

Ai shtohet se vendi është i përgatitur për të përballuar të gjithë skenarët dhe sistemi shëndetësor po forcohet. Por edhe pse tha se Greqia ka një sistem të fortë shëndetësor, Mitsotakis tha se të gjithë duhet të jenë vigjilentë dhe të zbatojnë të gjitha masat në fuqi.

Më tej ai u shpreh se duhet të zbatohen masat tani që të shmanget një bllokim i dytë i vendit dhe të mos ketë rritje të numrit të të shtruarve dhe atyre që janë në intubim.

Distancë. Higjienë personale. Dhe, më e rëndësishmja, mbani maska derisa të gjendet vaksina. Unë do të guxoja të them se maska ​​është vaksina ndaj virusit”, tha Mitsotakis.

Gjithashtu kryeministri u bëri një paralajmërim qytetarëve të tij duke thënë se duhet të vetëmbrohemi ose të kthehemi në karantinë. “Unë nuk hezitoj të marr vendime të vështira shpejt. Por në mënyrë që të zbutet vala e re e pandemisë, shteti, shkencëtarët dhe qytetarët duhet të punojnë së bashku,” nënvizoi ai, duke paralajmëruar se vendi mund të rikthehet në izolim nëse shkelen masat./tvklan.al