Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka prezantuar këtë të mërkurë pikat kyçe të planit të Rimëkëmbjes Kombëtare pas pandemisë së koronavirusit.

Mitsotakis tha se plani, i emëruar si Greqia 2.0, konsiston në 170 projekte të reja, investime dhe reforma. Gjithsej do të përfshihen 57 miliardë Euro dhe pritet që të shtohen 7 përqind të PBB-së për 6 vitet e ardhshme. Sipas këtij plani, Mitsotakis tha se pritet të krijohen 200 mijë vende të reja pune.

Në programin e qeverisë greke synohet që të rritet buxheti për transformimin dixhital, modernizimin e edukimit profesional dhe për investimet private.

Aty përfshihen projekte që e përshijnë Greqinë në epokën dixhitale të gjeneratës së pestë të rrjeteve telefonike në autostrada, interkonjeksione dixhitale në ishuj etj. Po ashtu pritet që të bëhet dixhitalizimi i arkivave shtetërore.

Në planin e qeverisë greke është përfshirë vetëm autostrada në Kretë dhe autostrada E65 në qendër të Greqisë për t’u ndërtuar. Plani u aprovua nga kabineti qeveritar të hënën. Do të çohet në parlament për debat dhe do të dërgohet në Komisionin Europian në mes të prillit./tvklan.al