Gjata: Masa kufizuese si në Europë për të rritur mbulesën vaksinale

Studentët e Mjekësisë, mjekët e ardhshëm janë vaksinuar pothuajse të gjithë kundër Covid. Rektori Arben Gjata thotë se prej Gushtit dhe deri në Tetor kur filloi viti akademik janë vaksinuar mbi 90 % e studentëve.

“Gati 90% e studentëve kanë kryer vaksinimin. Kanë ndërgjejgjësuar pjesën e madhe pasi që në momentin që u hap vaksinimi është komunikuar me studentët që është e domosdoshme që ata të vaksinohen. Jo vetëm për të parandaluar përhapjen e pandemisë, për t’i mbrojtur ata si studentë, por problem kryesor është që studentët tanë kanë kontakt me të sëmurët.”

Edhe këtë javë nëpër universitete vijojnë të qëndrojnë grupet e vaksinimit për të gjithë studentët për t’u imunizuar kundër Covid-19. Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi me detyrimin vaksinimin e kësaj kategorie. Mjeku Arben Gjata thotë se për të rritur mbulesën vaksinale në Shqipëri, e cila nisin procesin e vaksinimit e para në rajon, duhet të merren masa si në vendet e Europës.

“Pasi në shumicën e vendeve perëndimore është i detyrueshëm dhe në ato vende ku nuk është i detyrueshëm, nuk është i detyrueshëm mbajtja e maskës. Duam të ndjekim rregullat që ka bota në të gjithë shoqërinë, nuk ka pse të mos ndjekim ato rregulla që funksionojnë në shumë vende.”

Deri tani në Shqipëri mbi 880 mijë persona mbi 18 vjeç janë imunizuar plotësisht me të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.

Tv Klan