Lista e NY Times: Në rrezik edhe policët, zjarrfikësit dhe shitësit

Mjekët dhe infermierët nëpër qendrat shëndetsore janë kategoria më e rrezikuar e punonjësve mes pandemisë së koronavirusit. Kjo kategori është më e ekspozuara ndaj të infektuarve, por po ashtu, mjekët dhe infermierët janë shpesh të detyruar të mos e respektojnë distancën e qëndrimit larg personave të tjerë në ambientet e punës.

Përmes këtyre dy faktorëve, New York Times ka bërë edhe një renditje të profesioneve më të rrezikuara nga koronavirusi. Pas punonjësve të klinikave dhe spitaleve, për nga shkalla e rrezikshmërisë renditen infermierët dhe punonjësit socialë që ndihmojnë të sëmurët, të moshurarit dhe fëmijët nëpër shtëpitë e tyre. Në shtetin federal amerikan të Uashingtonit ka pasur 25 raste të vdekjeve dhe të paktën 70 të infektuar me koronavirus nga kjo kategori punonjësish.

Në listën e rrezikut janë po ashtu edhe punonjësit e ndihmës së shpejtë, si ekipet e autoambulancave, zjarrfikësit dhe policët, por edhe punonjësit e furrave të bukës, fast-food apo kafeterive, që janë në shërbim në këtë situatë të gjendjes së jashtëzakonshme në shumicën e shteteve të botës.

Problematik, sipas New York Times është edhe fakti që këto ditë shumë punonjës që nuk kanë paga të larta qëndrojnë në punë edhe pse janë të sëmurë, pasi shumë kompani refuzojnë t’i paguajnë.

Tv Klan