39-vjeçarja Gjyle Sokoli vjen në emisionin “Historia Ime” në “Tv Klan” për të treguar historinë e saj. Ajo jeton në fshatin Mushnik të Kavajës, së bashku me mamanë, vëllain e nusen e tij dhe dy mbesat, që janë të moshës 16 dhe 14 vjeçe.

 Në vitin 2013 ajo ka pësuar një incident që i ka dëmtuar rëndë krahun e djathtë, pasi një kafshë shtëpie i ka kafshuar dorën duke i këputur të gjithë tendinat.

Mjekët ia kanë ngjitur dorën gabim dhe kur i është nevojitur një ndërhyrje e dytë për të kryer korrigjimin, i kanë kërkuar një shumë prej 5000 Eurosh, por sërish dora e saj nuk është funksionale duke e lënë invalide.

Përveç dëmtimit në krah, ajo pati dëmtime të tjera në kokë, theu hundën si edhe dëme psikologjike. Aktualisht, Gjylja nuk merr as KEMP dhe as ndihmë sociale, nuk ka mundur të kryejë as fizioterapi dhe nuk jeton dot një jetë normale për shkak të pamundësisë fizike e cila nuk e lejon të punojë.

Mirela Milori: Të ka ndodhur një incident, në çfarë moshe?

Gjyle Sokoli: Kam qenë gati 32-33 vjeçe, ose më para, 30.

Mirela Milori: Ke qenë rreth 30 vjeçe, duke u marrë me punë bujqësie dhe çfarë ndodhi?

Gjyle Sokoli: Gomari më kafshoi dorën. Ishte ngatërruar litari i gomarit me lopën, duke e zgjidhur, më kafshoi dorën.

Mirela Milori: Dhe çfarë ndodhi?

Gjyle Sokoli: Nga kjo gjë unë pësova një dëmtim shumë të rëndë, shkova në Kavajë, m’i bënë një qepje dorës dhe më thanë hajde të nesërmen. Kur shkova në Rrogozhinë, më futën dorën në allçi dhe më thanë e ke mirë. Shkova pas dy javësh, më la allçinë hapur dhe më tha mund ta kesh mirë.

Mirela Milori: Mjekët çfarë të thanë, çfarë dëmtimi pate?

Gjyle Sokoli: Gjithë tendinat e këputura, për shkak të forcës. Kur shkova të bëja operacion, të gjitha tendinat ishin tharë.

Mirela Milori: Në operacion, të vendosën dorën në allçi, e bënë gabim?

Gjyle Sokoli: Gabim, e ngjitën dorën shtrembër, shpenzuam shumë, më thanë ta bëja sërish.

Mirela Milori: Ti u fute në operacion. Sa kushtoi ky operacion?

Gjyle Sokoli: Operacioni kushtoi 5000 Euro. /tvklan.al