Të moshuarit, të sëmurët kronikë por edhe fëmijët duhet të evitojnë daljet në orët e pikut

Temperaturat e larta që kanë përfshirë gjithë vendin, mund të shkaktojnë probleme për shëndetin tonë. Mjekët thonë se qëndrimi në diell mund të sjellë probleme të rënda shëndetësore.

“Simptomat më të lehta janë rënie tensioni, marrje mendsh, të vjella, lodhje e përgjithshme, dhimbje koke, por nëse nuk menaxhohen në kohë mund të agravojnë në goditje nga i nxehti, që mund të kërkojë edhe trajtim spitalor”.

Mosha e tretë dhe fëmijët sipas mjekëve janë personat më të riskuar nga qëndrimi në ambiente të nxehta ose në diell.

“Të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna,  pacientët me sëmundje kardiake, diabetikët, ata me sëmundje kronike të veshkave, janë më të rrezikuar për të pësuar efekte anësore nga i nxehti ose goditje.  Masat e thjeshta në përditshmëri na ndihmojnë për t’i shmangur. Shmangia e ekspozimit në diell për sa të jetë e mundur në orët më të nxehta të ditës, nga ora 11 e paradites deri në 5 të pasdites u rekomandojmë të gjithëve të evitojnë ekspozimin në ambiente të nxehta ose në diell”.

Kujdes duhet të bëjnë edhe pushuesit që frekuentojnë plazhet.

“Goditja nga  i nxehti nuk ndodh vetëm në qytet, por edhe në bregdet. Turistët dhe personat që  frekuentojnë plazhet është mirë të zgjedhin orët e mëngjesit dhe orët e vonshme të pasdites për të qëndruar buzë detit. Pacientët me sëmundje kronike u rekomandohet kufizimi i  aktivitetit fizik, si noti që të shmangin evente të padëshiruara”.

Temperaturat e larta këtë verë kanë nisur që në muajin Maj dhe pritet që të ketë goditje nga i nxehti afrikan edhe gjatë muajve Korrik e Gusht. Ndaj qytetarët duhet të kenë kujdes të shtuar dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje.

Klan News