Në një lidhje në Skype për programin “Rudina”, në Tv Klan këtë pasdite ishte mjekja psikiatre Arjana Rreli. Ajo u ndal tek problemet e ankthit dhe depresionit si rezultat i izolimit në shtëpi.

Rreli u shpreh se ky virus na gjeti komplet të papërgatitur për situatën si fizikisht, ashtu edhe nga ana psikologjike.

Me tej, mjekja psikiatre tregon se erdhi menjëherë pas situatës traumatike siç ishte ajo e tërmetit, ku mekanizmat tanë mbrojtës sapo kishin filluar të merrnin veten.

Arjana Rreli: Në fakt problematika e shëndetit mendor ka kohë që thuhen që në vitin 2020 do dalin në plan të parë. Mesa duket ky sulmi virusal e konfirmoi më së shumti, erdhi në mënyrë të papritur, edhe me sa enigmë ky virus ishte mbështjellë, duke na gjetur komplet të papërgatitur për situatën si fizikisht, por edhe nga ana psikologjike. Gjithpërfshirja bëri që të amplifikohet shumë edhe ankthi sepse është ndryshe kur frika është e kufizuar në vend, ose në persona dhe tjetër është kur bëhet mbarëbotërore. Nga ana tjetër, të mos harrojmë që ne shqiptarët na gjeti edhe gjysmë të gatshëm për faktin që dolëm nga një situatë traumatike, siç ishte ajo e tërmetit dhe që mekanizmat tonë të mbrojtjes sapo kishin filluar të merrnin veten si me thënë dhe kjo erdhi dhe rrëzoi dhe njëherë çka ne po ndërtonim në mirëqënien tonë emocionale./tvklan.al