Reumatizma është një sëmundjet për të cilën dëgjojmë shpesh ankesa nga mosha e tretë. Prandaj gjithmonë sëmundjet reumatizmale i lidhim me moshën e tretë, që kanë probleme me kyçet apo kockat. Por, mjekja Valbona Salko në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan tha se këto sëmundje prekin dhe moshat e reja, madje dhe fëmijët e vegjël.
Valbona Salko: Termi i sëmundjeve reumatizmale është një term shumë i përgjithshëm. Ne e kemi dëgjuar duke iu referuar në gjuhën popullore si reumatizma, por dhe përgjithësisht ai imazhi është i një moshe të tretë, që vuan nga sëmundjet e kockave dhe muskujve. Në fakt ky është një imazh deri diku i pjesshëm i tablosë së sëmundjeve reumatizmale. Pasi unë do të klasifikoja se përfshin katër grupe madhore, të cilat kanë karakteristika, kanë diferenca, mes kategorive dhe mes dy gjinive. Ndryshe nga sa ne mendojmë rëndom që prekja është vetëm e kockave dhe muskujve, do ta shohim që këto sëmundje prekin më gjerë se aq.
Katerina Trungu: Edhe në të njëzetat mund të kem probleme me reumatizmin?
Valbona Salko: Mund të shkojmë edhe në dy vjeç. Mendoj se fokusi do të jetë ky, por absolutisht që një sëmundje reumatizmale nuk njeh diapazon. Ndryshe nga klisheja që ekziston, ajo mund të fillojë në moshë të vogël fare. Patjetër që janë të pranishme sëmundjet reumatizmale në çdo moshë. Nuk kursejnë asnjë moshë, asnjë gjini dhe asnjë lloj diferencimi tjetër.
Mjekja sqaroi se ka një ndryshim mes sëmundjeve reumatizmale të lindura dhe atyre të fituara gjatë viteve. Valbona Salko tha se sëmundjet reumatizmale nuk kursejnë asnjë moshë apo gjini, por në persona të ndryshëm shfaqet në mënyra të ndryshme, të cilat në një moshë të re neglizhohen, prandaj dhe diagnostikimi i tyre është më i vështirë.
Katerina Trungu: Në moshën njëzet vjeçare konsiderohet si diçka e re, por në moshë të vegël është diçka gjenetike, mund të jetë e lidhur?
Valbona Salko: Patologjitë e lindura i përkasin një sfere tjetër dhe ato përgjithësisht janë të pjesës së ortopedisë. Këto sëmundje fillojnë në çdo moshë dhe nuk kanë një karakteristikë gjithëpërfshirëse që ne të themi që filloi kjo sëmundje. Është pak e vështirë për t’i etiketuar dhe për t’i diagnostikuar./tvklan.al