Migena Kika, mjekja neuro-pediatre duke folur në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan për pubertetin e hershëm tek vajzat dhe djemtë, i cili është shndërruar tashmë në një fenomen vitet e fundit u shpreh se në pjesën më të madhe të rasteve shkaqet nuk janë evidentuar ende.

Megjithatë sipas saj dy janë faktorët kryesojnë që kanë një ndikim më të madh, obeziteti dhe mënyra e ushqimit. Për sa i përket kequshqyerjes mjekja renditi disa nga ushqimet të cilat përmbajnë toksina apo kimikate, që kanë një rol negativ në metabolizmin e njeriut dhe ndikojnë në pubertetin e parakohshëm.

Migena Kika: Evidencat tregojnë që në 90-95% të vajzave shkaqet janë të panjohura përfshirë ndoshta edhe djemtë, por djemtë kanë pubertetin e parakohshëm që mund të ketë prejardhje sekondare sepse nëse do i hyjmë metrologjisë ka një numër shumë të madh problematikash dhe çrregullimesh apo mekanizmash që japin pubertetin e parakohshëm, por në pjesën më të madhe të rasteve nuk e dimë pse, ama gjithnjë e më shumë po i vihet theksi dy faktorëve kryesorë, ndodh kryesisht në vajzat dhe në djem të cilët kanë obezitet dhe mënyra e ushqyerjes. Mënyra se si ne po ushqehemi kohët e fundit dhe vitet e fundit është shumë e ndryshme nga ajo që kemi pasur 20 ose 30 vite më përpara.

Katerina Trungu: Konkretisht cilave ushqime do u referoheshit?

Migena Kika: Të gjitha ushqimeve industriale, nuk gatuhet më në shtëpi, nuk merren më ushqimet bio, konsumojmë gjithnjë edhe më shumë “fast food”, konsumojmë gjithnjë edhe më shumë ushqimet e procesuara të cilat kanë kimikate dhe konservantë që u futen këtyre ushqimeve dhe kanë efekte madhore negative në organizëm. Një pjesë shumë e madhe e këtyre preparateve, elementeve dhe kimikateve që përdoren në ushqimet që ne hamë apo edhe në ujin që ne pimë në shishet plastike, të gjitha këto substanca në pjesën më të madhe të rasteve mund të ngjasojnë me hormone apo të çrregullojnë, të ndërpresin, të stimulojnë, të frenojnë mekanizma të ndryshme dhe sisteme të ndryshme hormonale në organizmin e këtij fëmije të vogël dhe sigurisht të japin pubertet të parakohshëm. Megjithatë në pjesën më të madhe të rasteve shkaqet janë të panjohura, në një pjesë të rasteve ne mund të kemi edhe gjenetikën./tvklan.al