I ftuar në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan për të folur për sëmundjet kronike që prekin veshkën, mjeku Alketa Koroshi i kushtoi një vëmendje të veçantë rëndësisë dhe funksioneve që ka ky organ. Sipas tij veshka ka një rol kyç në ruajtjen e parametrave të trupit të njeriut.

Duke theksuar se përveçse është një organ i rëndësishëm është edhe shumë delikat, ai tha se më shumë se 90% e popullsisë nuk janë në dijeni nëse janë të prekur nga sëmundjet e veshkave. Për këtë mjeku sugjeroi kryerjen e ekzaminimeve të paktën një herë në vit.

Alketa Koroshi, mjek: Veshkat janë organe vitale që do të thotë se pa veshka njeriu nuk jeton dot. Veshka rregullon të gjitha parametrat e trupit të njeriut, të organizmit. Veshkat janë të rëndësishme sepse kanë një rëndësi të veçantë për të ruajtur ekuilibrin e brendshëm të trupit, ruajnë homeostazinë e trupit të njeriut. Nëpërmjet veshkës dhe urinës njeriu nxjerr të gjitha lëndët e tepërta, ose helmet e trupit. Çrregullimet e veshkave ne i shohin në sajë të analizave, prandaj dhe këshillohet që njeriu herë pas here të bëjë analizat, ekzaminimet, të paktën një herë në vit, sepse veshkat aq sa janë të rëndësishme, po aq janë edhe delikate. Veçoria e sëmundjeve të veshkave është pasi, njeriu në fillimet e sëmundjes nuk ndjen simptoma. Sëmundjet kronike të veshkave janë shumë të shpeshta, mund të themi që gati 10% e popullsisë vuan nga veshkat. 90% e atyre që vuajnë nga veshkat nuk janë fare në dijeni, sepse nuk kanë bërë asnjëherë ekzaminim.

Kateringa Trungu: Ekzaminime vetëm në analizën e urinës apo edhe në eko?

Alketa Koroshi, mjek: Në sëmundjet kronike të veshkave ato që dëmtohen kryesisht janë në radhë të parë rritja e keratininës në gjak, rritja e azotemisë në gjak dhe shtimi i albuminave dhe proteinave në urinë. Këto duhet të konstatojmë ne në radhë të parë në sajë të ekzaminimeve tona. Këto çrregullime flasin për sëmundjet kronike të veshkave në këta pacientë. Në stadet e fundit terminale të veshkave që është eficenca terminale, mjekimet me ilaçe nuk bëjnë më efekt, ndodhet para alternativës do të jetojë ose do të vdesë dhe mënyra e vetme e shpëtimit është futja e pacientit në atë që quhet terapia renale zëvendësuese, e cila përfshin ose dializën, ose transplantin e veshkave. Funksioni i dializës është që të pastrojë gjakun nëpërmjet një procesi jashtë trupor.

Më tej gjatë fjalës së tij mjeku tha se shkaqet që sjellin sëmundjen kronike të veshkave mund të jenë gjenetike, të trashëguara, ose të shkaktuara nga faktorë të tjerë ambientalë, siç mund të jetë kequshqyerja, konsumimi i tepërt i kripërave apo mungesa e pirjes së ujit./tvklan.al