Jetmir Lleshi, mjek i përgjithshëm nga Dibra, kishte aplikuar për vende të lira pune për mjekë pas njoftimit të FSDKSH-së, por askush nuk është kujtuar që t’i kthente një përgjigje.

Qytetari ka kërkuar nga emisioni “Stop” që të gjejë një përgjigje për arsyen e skualifikimit të tij. Së bashku me gazetaren e “Stop”, Jetmiri shkoi të interesohej për konkurrimin. Por i thanë, se nuk ishte fitues, pasi nuk kishte dorëzuar origjinalin e certifikatës së anglishtes, edhe pse në njoftim kërkoheshin kopjet.

“Jam mjek i përgjithshëm, jam nga Dibra, jam diplomuar  në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 2010, Nga viti 2010 deri në vitin 2015 kam punuar mjek dhe drejtor i qendrës shëndetësore në Arras në Dibër. Më pas nga 2015 deri në fund të 2018 kam qenë mjek specialist pranë Shërbimit Social Rajonal Dibër. Me datë 07.11.2019 pashë një afishim për dy vende pune bosh në FSKDSH Tiranë, i bëra gati të gjithë dokumentet dhe me datë 13 nëntor i dorëzova pranë protokollit të këtij institucioni, i panë dhe më thanë ‘Ok, do të njoftoheni nëpërmjet numrit të telefonit, të cilin ju e keni dorëzuar.’Shkova dy herë dhe pyeta dhe më thanë akoma nuk është bërë asnjë gjë. Një javë para vitit të ri shkova tek burimet njerëzore dhe pyeta dhe më thanë që nuk je i kualifikuar por këtë vend pune. Nuk ke dorëzuar librezën e punës dhe certifikatën e gjuhës së huaj origjinale. Unë i kisha dorëzuar sepse unë i disponoj dokumentat e mia, edhe librezën e punës edhe certifikatën e anglishtes”,- deklaron qytetari.

Gazetarja Odeta vajti tek ISDKSH, për të kërkuar disa të dhëna se kush janë fituesit, CV-të e tyre, apo vlerësimi me pikë.

 Sipas përgjigjes së ISDKSH e drejta për të kërkuar informacion nga institucioni publik kufizohet në zbatim të nenit 17 dhe nëse ndonjë nga aplikantët kandidatë ka pretendime karshi vendimit, mund të paraqesë kërkesën dhe do t’i vihet në dispozicion i gjithë dokumentacionin që ka lidhje me aplikimin e tij. Në këtë rast ka një kandidat që ka një pretendim. 

Vetë Jetmiri vajti tek ISKDSH-ja për të marrë një përgjigje, ndërkohë që takoi edhe drejtoreshën. Biseda mes tyre është regjistruar nëpërmjet një kamere të fshehtë.

Biseda mes qytetarit dhe protokollit:

Qytetari– Më falni, t’ju bëj një pyetje?

Protokolli-Hë?

Qytetari-Jam Jetmir Lleshi, pata apliku më datë 13 nëntor këtu.

Protokolli-Po!

Qytetari-Për dy vende mjekë….është, i dorëzova letrat këtu tek ju. Më thanë të gjitha në rregull, tek burimet njerëzore, më thanë s’është certifikatë e anglishtes origjinale edhe…

Protokolli-Epo tek burimet, jo tek unë!

Qytetari-Tek burimet njerëzore, thoni ju?

Protokolli-Te burimet.

Më pas zhvillohet biseda mes qytetarit dhe burimeve njerëzore:

Qytetari-Si ia kalove ti?

Burimet njerëzore-Mirë, si kalove?

Qytetari-Kam qenë edhe njëherë këtu, në qoftë se më mban mend?

Burimet njerëzore-Po!

Qytetari-Kam pas apliku për specialist më 13 nëntor.

Burimet njerëzore-Po të mbaj mend, po.

Qytetari-I pata dorëzu letrat tek protokolli më datë 13, më thanë janë në rregull. Unë erdha këtu tek ju, juve më jeni përgjigjur me mirësjellje, edhe më thatë, që s’është certifikata e anglishtes origjinale, edhe mungon libreza e punës.

Burimet njerëzore-Po!

Qytetari-Pata dorëzu fotokopjet, edhe mua askush s’më tha, që keni sjellë emailin. Tek emaili im, që ju kam lënë, s’ka ardh. S’ka ardh, se unë e kam hapur!

Burimet njerëzore-Epo, ca të them unë?

Qytetari-Ju lashë numrin e telefonit, adresën e e-mail, mu s’më njoftoi askush, që duhet. (origjinale, dhe jo kopje e noterizuar)

Burimet njerëzore-Emaili, nuk e di, a ka ardhur!

Qytetari-S’më ka ardhë emaili mu!

Burimet njerëzore-Vendet janë zënë

Në fund qytetari zhvillon një bisedë edhe me drejtoreshën e ISKDSH-së:

Drejtoresha– Si kalove?

Qytetari-Përshëndetje!

Drejtoresha-Si je? Unë quhem Elisa, si je ti?

Qytetari-Një vit të mbarë! Më fal për shqetësimin!

Drejtoresha-Jo, hajde ulu! Me cfarë mund të ndihmoj?

Qytetari-Unë Jetmir Lleshi, jam mjek i përgjithshëm.

Drejtoresha-Ëhë!

Qytetari-Janë afishuar nja dy vende më 13 nëntor, këtu. Tek protokolli juaj, më thonë në rregull, do t’ju njoftojmë në numër telefoni dhe më lër edhe një email! S’më erdhi as email, as numër telefoni. Pata pyt nja dy herë këtu tek protokolli, dhe më thanë do t’ju njoftojmë. Do të njoftojmë, do të njoftojmë, ra dhe tërmeti, kaloi situata, iku dhjetori. Erdha këtu, pyeta tek protokolli, s’dimë gjë ne, pyet tek Burimet njerëzore, edhe më thonë, që je skualifikuar. I thashë ok, po pse jam skualifiku? M’tha, sepse nuk ke sjellë librezën e punës, edhe certifikatën e gjuhës së huaj. Unë certifikatën e gjuhës së huaj e pata sjellë fotokopje, edhe fotokopjen e librezës së punës.

Drejtoresha-Në fakt, libreza e punës, duke mos e sjellë origjinalin, e sjell të noterizuar. E kanë ca dokumente, që kërkohen në formatin e tyre. Megjithatë unë e kujtoj, që ti je skualifikuar për mesatare. Dy aplikantët e tjerë, që kanë fituar, një e ka pas 9.2, e një tjetër e ka pas gati tek teta.

Qytetari-Po pra, po aty nuk ka askurrkund në faqen zyrtare, që mesatarja…

Drejtoresha-Kriteret i kam unë! Kemi një ligj, që është për ekselentët, dhe kjo 9 mbi ca…,gjëja bazë.

Qytetari-Po mirë, moj drejtoreshë, tek burimet njerëzore mu s’mka ardh përgjigjia domethënë. Ajo tha, që ta kam nis emailin, dhe mu s’më ka ardh emaili, e kam të hapur. Atë email, që kam lënë unë, me atë numër telefoni, unë i kam pas hapur të dy.

Drejtoresha-Shiko mos e ke tek ajo “spam”! Cfarë të të them unë?

Qytetari-Po përgjigje zyrtare ma japin Burimet njerëzore mu?

Drejtoresha-Bëj një kërkesë tek protokolli!

Në zyrën e burimeve njerëzore i thonë, se vendet janë zënë. Ndërsa drejtoresha nxjerr pretendimin e mesatares, pasi fituesit kishin mesatare më të lartë.

Së fundmi gazetarja iu drejtua Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Përgjigjet ishin të njëjta ku gjithsesi qytetari përsëri nuk u sqarua se përse nuk e kishte fituar vendin e punës, pavarësisht eksperiencës. /tvklan.al