Në këtë situatë, ku përhapja e virusit COVID-19 vazhdon dhe bëhet më shqetësuese, ajo që duhet të bëjmë është të kthejmë vëmendjen nga sistemi imunitar për të përballuar këtë situatë. Por a mund ta forcojmë atë? A ndikojnë vërtetë suplementet dhe mineralet që marrim? 

Për të diskutuar për këtë çështje të ftuar në programin “Rudina” në TKlan ishin Dhurata Thanasi, administratore “Luga e Argjendte”; mjeku i përgjithshëm dhe patologu Piro Paparisto dhe qëndistare Nadia Pëllumbi.

Piro Paparisto: Siç do gjë tjetër në trupin e njeriut, çdo gjë varet nga gjenet dhe gjenetika e njeriut. Të gjitha këto qeliza kanë në sipërfaqe receptorë, proteina dhe të gjitha këto varen gjithmonë nga kodi gjenetik. Pra disa njerëz e kanë gjenetikisht më të fuqishëm imunitetin, ndërsa disa persona nuk e kanë efektiv. Ndoshta edhe ndaj një lloji të veçantë virusi apo bakteri, disa e kanë më të fuqishëm, dikush më të ulët.

Sipas Paparistos, pavarësisht përpjekjeve ne mund ta modifikojmë imunitetin shumë pak.

Piro Paparisto: Në përgjithësi, imuniteti në bebet e vogla është akoma në formim, ndërsa në moshat e vjetra mbas moshës 80 vjeçare, imuniteti fillon dhe bie ashtu siç fillojnë dhe bie çdo qelizë e trupit. Në këto dy mosha risku është më i madh. Ndërsa, si mund ta modifikosh imunitetin gjatë jetës? Unë do thoja se nëse 100 është maksimumi i imunitetit efektiv, ti nëse e ke 80 mund ta çosh 85-90, por jo që ta modifikosh shumë. Pra me të gjitha mënyrat që ne mund të përpiqemi, ne mund ta modifikojmë shumë pak, por mund të ndikojmë. Dihet që ndikon pozitivisht ose negativisht./tvklan.al