“Kërkon të lihet i lirë pasi e presin pacientët

Zbardhet kërkesa e kardiokirurgut Edvin Prifti në Gjykatën e Apelit, ku ai kërkon ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Në ankim thuhet se vendimi i Shkallës së Parë është pambështetur në prova.

Për të justifikuar shumat e mëdha të parave kesh që iu gjetën në banesë mjeku Prifti paraqet një para kontratë, ku pretendon se bashkëshortja e tij ka përfituar nga shitja e një prone 350 mijë euro. Kontrata është nënshkruar në 23 Dhjetor 2020.

Mjeku i ka paraqitur gjykatës edhe një listë me personat e planifikuar që presin të operohen prej tij në dy spitale.

Avokati mbrojtës argumenton se Edvin Priftit i janë gjetur 56 800 euro, 7600 dollarë dhe rreth 34 milionë lekë të vjetra në çantën e lap top-it. Sipas tij, ky veprim është i paligjshëm, pasi gjykata nuk kishte urdhëruar kontrollin personal.

Lidhur me akuzën se ka marrë 2 mijë euro për një operacion, pala mbrojtëse thekson se nuk ka asnjë provë apo përgjim ndaj mjekut, por vetëm komunikime mes personave të tjerë.

Edvin Prifti ra në pranga pas hetimeve të SPAK për korrupsionin me lirimet nga burgjet në gjykatën e Krujës, ku u arrestua edhe gjyqtarja Enkelejda Hoxha. Prifti kishte komunikuar me sekretaren e Gjykatës Krujë, ku kjo e fundit i kërkonte favor për të asistuar në operacionin e nënës së saj.

Mjeku Prifti akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Ndërkohë SPAK gjeti dhe sekuestroi një sasi të madhe parash kesh në banesën e mjekut,  250 mijë euro dhe 16 milionë lekë.

Tv Klan