Basha: Fondet për COVID-19 nuk mjaftojnë

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët këtë të mërkurë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bëri publike rastin e një mjeku në Urgjencën e QSUT.

Ilir Allkja në një video në rrjetet sociale deklaron se është futur në karantinë pasi vizitoi disa raste me koronavirus pa veshjen përkatëse.

“Përshëndetje unë quhem Ilir Allkja, jam mjek në urgjencën paraspitalore në QSUT. Unë me kolegët e mi jemi në vijën e parë të luftës ndaj COVID-19 që ka shpërthyer në Shqipëri. Po shërbejmë me vetëmohim për të shpëtuar jetët njerëzore. Unë sot jam vetëkarantinuar derisa të konfirmohet gjendja ime shëndetësore pasi mbrëmë kam vizituar tre pacientë të dyshuar me COVID-19 pa veshjen speciale. Më dëshpërim kam konstatuar se njësia e Koordonimit të Urgjencave na dërgojnë pa veshjet speciale në raste që na i paraqesin dhe neurologjike apo gastroentorologjike, por kemi konstatuar se janë raste të dyshuara me COVID-19. Kemi shkuar atje me maske kirurgjike ndërkohë që duhej të shkonim me veshje të posaçme. Kam një thirrje për kolegët e Koordinimit të Urgjencave Mjekësore dhe drejtorin Skënder Brataj: Kërkoni dhe pyesni nëse pacientët kanë temperaturë dhe simptoma të koronavirus. Ju lutem na nisni me veshje speciale për çdo rast të dyshuar”, shprehet mjeku.

Ndërkohë kreu i demokratëve deklaroi se qeveria duhet të sigurojë pajisjet dhe aparaturat e nevojshme për stafet mjekësore.

“Nëse mjekët nuk arrijmë t’i mbrojmë dhe pajisim si duhet atëherë si mund të mbrojmë qytetarët”, tha ai.

Basha shtoi se fondet e vëna në dispozicion kundër koronavirusit nga qeveria nuk mjaftojnë.

“Të merren pajisjet që shkurtojnë kohën e analizës së COVID 19 nga disa orë në 45 minuta. Kjo ndihmon në parandalimin e përhapjes dhe trajtimin e bartësve të virusit. 3.5 milionë USD nuk mjaftojnë. Aktet e vetëdijësimit apo më keq, propaganda, nuk zgjidhin situatën”, tha Basha./tvklan.al