Emisioni “Rudina” në Tv Klan ka trajtuar ditën e sotme një shqetësim që është përhapur këto ditë në vend. Bëhet fjalë për virusin vdekjeprurës të Meningitit.

Polici i Rrugores, Mariglen Mestani u nda nga jeta disa ditë më parë si pasojë e miningitit. Shefja e Epidemiologjisë në ISHP-ja, Silva Bino doli në deklaratë për mediat dhe konfirmoi zyrtarisht se i riu vdiq nga meningiti, ndërsa janë marrë analizat për persona të tjerë të dyshuar. Sipas saj, nuk ka vend për panik sepse nuk kemi epidemi permanente.

Meningiti është një sëmundje që shkaktohet nga një lloj bakteri i veçantë (meningokoku), i cili prek shtresat mbrojtëse që veshin trurin. Kjo sëmundje shoqërohet me temperaturë, vjellje dhembje të forta koke.

Në qoftë se ndihma mjekësore nuk merret në kohën e duhur, i sëmuri edhe mund të vdesë. Shkaktarët e meningitit mund të jenë viruset dhe bakteret. Periudha nga infeksioni e deri tek shenjat e sëmundjes mund të jetë nga 2-10 ditë dhe ajo varet nga shkaktari i sëmundjes. Rrugët e përhapjes gjenden te uji, ushqimi, kontakti i drejtpërdrejtë me të sëmurin, insektet, ajri.

Në një lidhje telefonike në studio, mjeku infeksionist Genti Stroni u shpreh:

Kjo është një sëmundje, pezmatim ose infeksion i cipave të trurit. Kjo lloj sëmundje mund të vijë nga shkatarë të ndryshëm. Të tilla raste ne kemi patur në çdo vit, pavarësisht se këtë vit si pasojë e medias është bërë disi më i ditur si fenomen dhe praktikisht ka deri-diku një efekt negativ në njohurinë për të”.

Sipas mjekut infeksionist, jo të gjitha rastet që preken nga meningiti janë fatale sepse janë të shumta jetët që shpëtohen.

Nuk është përherë fatale, sigurisht që jo. Dhe madje të shumta janë jetët që shpëtohen edhe me këtë sëmundje. Dhe nuk mund të themi kurrë që të vemë një barazim midis kësaj sëmundjeje dhe humbjes së jetës, jo. Janë të shumta jetët që shpëtohen mbas kalimit të një meningiti”. /tvklan.al