Emisioni ”Historia ime”, ditën e sotme ka sjellë intervistën me mjekun infeksionist Artan Simaku, nga Instituti i Shëndetit Publik. Ai ka sqaruar gjendjen aktuale gripale, rastet e paraqitura me meningjit.

Mjeku u shpreh se nuk ekziston vend për panik dhe se situata aktuale është tejet normale dhe nuk ka vend për t’u shqetësuar.

Artan Simaku: Me rrjetet sociale dhe nga  televizionet është përhapur një farë paniku në popullatë. Dua të them që nuk ka fare vend për panik, nuk ka as shpërthim, as epidemi në Shqipëri.

Gazetarja: Zyrtarisht sa raste?

Artan Simaku: Janë rreth 7 raste në vit, pra në vitet e fundit rreth 7 raste në vit, që nuk shpërthejnë as epidemi dhe as rrezik. Pra situata është normale dhe e zakonshme.

Gazetarja: Rasti i Durrësit është testuar për meningokok apo virozën e gripit?

Artan Simaku: Rasti i Durrësit është testuar për grip dhe ka rezultuar negativ. Ajo që duhet të dini ju popullata është që s’ka vend fare për panik. Në lidhje me situatën e gripit, jemi në një situatë normale, të zakonshme dhe të pritshme për stinën. Nuk ka fare vend për panik. Ka një trend në rritje të infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme dhe që është e pritshme. Duhet theksuar që gripi është një sëmundje e paparashikueshme.

Gazetarja: Mund të vdesim nga gripi?

Artan Simaku: Gripi duhet theksuar që është një sëmundje që ka një klinikë nga të lehtë, mesatare dhe deri në një klinikë të rëndë dhe shkakton dhe vdekje tek personat që janë me risk të popullatës.

Gazetarja: Kemi rrezik për një epidemi meningjiti, duke qenë se dhe rajoni në Itali kanë humbur jetën 7 veta dhe ndërkohë në Bergamo ka nisur një fushatë parandalimi dhe ata nënkuptojnë me fushatën e parandalimit nisjen e vaksinimit, ne duhet ta bëjmë?

Artan Simaku: Nuk ka të dhëna në Shqipëri, pra situata është normale dhe e zakonshme. Pra nuk ka indikacione epidemiologjike, as për shpërthim dhe as për epidemi. Situata monitorohet çdo ditë në të gjithë Shqipërinë dhe nuk ka vend për panik./tvklan.al