Mjeku kërkoi legalizimin e ryshfetit, Rama: Mbresëlënës niveli i kurajos dhe i paturpësisë


Mjeku kërkoi legalizimin e ryshfetit, Rama: Mbresëlënës niveli i kurajos dhe i paturpësisë

11:44 15/07/2021

“Rrjet antikorrupsioni në sistemin publik shtetëror, nuk mund të luhet me gjakun e pacientëve

Arrestimi i dy mjekëve disa javë më parë nxorri në protestë bluzat e bardha. Ky tubim i ka bërë përshtypje kryeministrit Edi Rama, i cili kishte dëgjuar fjalimin e një mjeku që kërkonte legalizimin e ryshfetit. Të turpshëm e quajti Rama propozimin. Ai u shpreh se autonomia spitalore do ta kalojë në një nivel tjetër shpërblimin e mjekut. Megjithatë Rama u shpreh se jo të gjithë bluzat e bardha fusin duart në xhepat e familjarëve. Sipas Ramës nuk mund të ketë barazim për punën që kryhet mes mjekëve.

“Më bëri përshtypje një grumbullim mjekësh me një zëdhënës që kërkonte legalizimin e ryshfetit. Ishte vërtetë mbresëlënëse, për nga niveli i kurajos dhe nga paturpësia e propozimit. Niveli i shpërblimit të mjekëve dhe infermierëve duhet rritur dhe ne do ta rrisim, siç e kemi rritur. Nuk është zotim elektoral, zgjedhjet kanë mbaruar, por është zotim i planifikuar që të mbahet që pagat për bluzat e bardha të rriten deri në 40%. Edhe kjo në vetvete nuk i thotë të gjitha pasi me autonominë spitalore duhet të kalojmë në një nivel tjetër të shpërblimit të mjekut duke krijuar një dysheme, por në këtë dysheme mjekët të mos paguhen njësoj, por sipas mundit dhe cilësisë që bëjnë. Të thuhet që ka ardhur koha të legalizojmë ryshfetin është një mesazh për ndërhyrjen në sistem që ka filluar të ndjehet dhe të shtrihet më thellë. Nuk mund të ketë në asnjë mënyrë barazim të të gjithë mjekëve dhe bluzave të bardha në perceptimin se të gjithë janë njësoj dhe të gjithë fusin duart në xhepat e familjarëve apo të pacientëve. E vërteta nuk është kështu”, u shpreh Rama.

“Qeveria do të ndërtojë një rrjet antikorrupsioni për sistemin publik”

Kryeministri tha se “mjekë dhe infermierë që trondisin opinionin kur papritur shfaqen si gjakpirës” duhet të ndiqen dhe përndiqen deri në fund nga forca e ligjit. Për sistemin shëndetësor dhe jo vetëm, për të gjithë sistemin publik, Rama tha se qeveria e tij ka vendosur që të bëjë presion të dyfishtë. Ai u shpreh se do të ndërtohet një rrjet i tërë antikorrupsion.

“Kemi në proces ndërtimi e një rrjeti të tërë antikorrupsion, nga ana jonë, jo nga ana e drejtësisë së re për të vendosur në një presion të dyfishtë të gjithë sistemin tonë publik. Të gjitha këto që bëjmë humbasin një pjesë të vlerës së tyre në rast se sistemi vazhdon të ushqejë parazitë dhe grabitqarë, të cilët janë aty për t’i shërbyer shtetit dhe njerëzve”, tha Rama.

“Shteti nuk mund të mëkatojë me gjakun dhe djersën e pacientëve”

Kryeministri Edi Rama u shpreh se krahas forcës së ligjit në të gjithë sistemin publik shtetëror do të ndërtohet një rrjet i tërë antikorrupsion. Sipas tij, lufta mes së keqes duhet të jetë e përbashkët dhe duhet zhvilluar brenda sistemit. Ai u shpreh se ata që supozohet t’i shërbejnë popullit nuk mund të mëkatojnë me djersën e qytetarëve.  

“Nuk mund të ketë luftë kundër të keqes nëse është e ndarë mes pushtetit ekzekutiv që qëndron në një barrikadë dhe atyre që janë jashtë këtij pushteti qoftë në radhët e këtij krimi, apo atyre që kanë abuzuar me pushtetin. Lufta duhet të zhvillohet brenda në radhë të parë dhe vetëm kështu do të rriten të ardhurat, do të rritet besimi, do të rritet solidariteti, dinjiteti dhe respekti dhe do të vendosen në vendin që e meritojnë në sytë e të gjithë opinionit publik ata që bëjnë detyrën. Vetëm kështu Shqipëria do të ngjitet në atë majën ku prej shumë e shumë vitesh është penguar të ngjitet. Kështu shteti do të bëhet aleati dhe bashkudhëtari i domosdoshëm dhe besnik i çdo qytetari.  Në të kundërt është e vështirë. Natyrisht që edhe kjo është e vështirë, por jo e pamundur. Këto që po ndodhin për fat të mirë, janë shenjat e para të një ndryshimi që do të shkojë duke u thelluar dhe një lëvizje që do shkojë duke u bërë më gjithëpërfshirëse në çdo nivel. Nuk mund të mëkatohet me gjakun e pacientëve, nuk mund të mëkatohet me lotët e qytetarëve në asnjë sistem brenda për brenda të sistem të përgjithshëm shtetëror. Këto janë mëkate që shkojnë shumë më tej personales dhe përfshijnë në një mënyrë shumë të rrezikshme dhe shpesh herë si kancer vdekjeprurës kolektive, të përbashkët”.

Rama: Reforma në shëndetësi, një kantier i madh. Autonomia spitalore, në proces të avancuar

Sipas kryeministrit, “reforma në shëndetësi është në një kantier të madh”.

“Qëllimi për të realizuar autonominë spitalore për të rritur kapacitetin me të gjitha aspektet është në një proces të avancuar. Është në proces të avancuar edhe synimi për të krijuar një hapësirë të painfektuar komunikimi dhe ndërveprimi mes bluzave të bardha dhe pacientëve dhe familjeve të tyre”,u shpreh Rama.

Rama: Shëndetësia në Shqipëri mund të kthehet në pikë referimi për rajonin

Kryeministri Edi Rama deklaroi të enjten se shëndetësia në Shqipëri mund të kthehet në pikë referimi  në të gjithë rajonin.

“Nga ana tjetër besoj që ne jo vetëm jemi në rrugën e duhur, por në këtë rrugë, ku po ecën përpjekja për ta çuar shëndetësinë në një nivel tjetër kemi mundësinë që ta çojmë shëndetësinë në Shqipëri një pikë referimi në të gjithë rajonin. Kemi mjekë të jashtëzakonshëm, kemi një trupë infermierësh që meriton respekt”, tha Rama.

Vendoset guri i themelit për ndërtimin e maternitetit në Tiranë

Kryeministri Edi Rama vendosi këtë të enjte gurin e parë të themelit të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Rama u shpreh se do të ruhet godina historike dhe do të zgjerohen kapacitetet për nënat dhe fëmijët me super cilësi dhe standarde europiane.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se tërmetet e vitit 2019 përshpejtuan procesin për të nisur projektin e ri për maternitetin.

“Mirëpo njësoj si një sërë godinash të ndërtuara atë kohë edhe godina e këtij materniteti, u sprovua nga dy tërmete në Shtator dhe në Nëntor të 2019-ës dhe faktikisht u bë në një pjesë të veten e papërdorshme. Kjo bëri që projekti i ri i maternitetit, i cili ishte në proces sepse këtu ka nevojë dramatike për më shumë hapësirë për shërbimin të përshpejtohej dhe ashtu siç u bë me të gjithë objektet apo në të gjithë territoret ku tërmeti prodhoi një krizë të jashtëzakonshme për familjet, shërbimet dhe komunitetet u shfrytëzua kjo krizë për të dalë shumë më të fortë prej saj”, tha Rama.

Risi qendra e prematuritetit

Rama u shpreh se po punohet për të dyfishuar kapacitetet e shtretërve, për të rritur numrin e sallave dhe për t’u dhënë trupës së shërbimit mjekësor një hapësirë me kushte shumë më cilësore. Risi do të jetë ndërtimi i një qendre prematuriteti për herë të parë në Shqipëri.  

“Sot ne jemi në kantier për të dyfishuar kapacitetet e shtretërve, për të rritur numrin e sallave dhe për t’u dhënë mjekëve, infermierëve, trupës së shërbimit një hapësirë me kushte shumë më cilësore. Siç u tha këtu, materniteti do të ketë jo vetëm rritje të kapaciteteve në trefish, por edhe do të ketë një qendre prematuriteti për herë të parë në Shqipëri si një risi në gamën e shërbimeve që jepet për të porsalindurit. Elementët e projektit janë rezultat i analizës së hollësishme të nevojave dhe zgjerimi i godinës aktuale, por edhe rritja e konsiderueshme e nivelit të teknologjisë në këtë maternitet shkojnë së bashku me njëra-tjetrën ashtu sikundër ky projekt dhe projekte të tjera ecin paralelisht me domosdoshmërinë për të rindërtuar sistemin deri në transformimin e tij të plotë në aspektin e motivimit të trupës, vlerësimit të mundit, cilësisë së shërbimit për pacientët dhe patjetër edhe efikasitetit të rritur të shërbimit në sensin e një administrimi shumë më të arsyeshëm të burimeve financiare”, tha Rama.

Manastirliu: Ruhet godina historike

Në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” u vendos sot guri i themelit për ndërtimin e godinës së re që do të rrisë kapacitetet për nënat dhe fëmijët, pjesë e projektit madhor për rikonstruksionin dhe zgjerimin e Maternitetit historik të Tiranës.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve kanë marrë pjesë Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.

Në fjalën e saj, Ministrja Manastirliu theksoi se ky investim do të rrisë kapacitetet spitalore, ndërsa risia do të jetë Qendra e Prematuritetit, e konceptuar për herë të parë në një maternitet në Shqipëri.

“Me këtë ndërtim të ri ne do të rrisim kapacitetet spitalore, do të rritet në 360 numri i shtretërve, ndërsa numri i shtretërve në terapinë intensive do të dyfishohet, duke mundësuar pritjen e 7 mijë lindjeve/vit dhe duke iu sherbyer mbi 20 mijë pacientëve çdo vit. Projekti parashikon rritjen e kapaciteteve edhe për sallat e operacionit, nga 6 që janë aktualisht, do të bëhen 10 të tilla, të standardeve më të mira, me aparatura të teknologjisë së lartë. Risi për këtë projekt është Qendra e Prematuritetit, e konceptuar për herë të parë në një maternitet në Shqipëri”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se janë investuar më shumë se 30 milion dollarë për infrastrukturën spitalore moderne për nënën dhe fëmijën në maternitetet e Sarandës, Korçës, Lezhës, Beratit, Kukësit dhe Maternitetin “Koço Gliozheni”.

Gjatë fjalës së saj, Manastirliu deklaroi se me reformën e autonomisë spitalore, që do të nisë nga Spitali Memorial Fier, do të garantohet shpërblim sipas meritës për mjekët.

“Me reformën e autonomisë spitalore që do të nisim në mandatin e ri, do të garantojmë shpërblim sipas meritës për mjekët në spitale, do të sigurojmë rritjen e llogaridhënies dhe transparencës së shpenzimeve në spitale dhe një sistem efikas kundër korrupsionit në shërbimin shëndetësor”, tha Manastirliu.

Me projektin për rikonstruksionin dhe zgjerimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” do të ndërhyhet në tre plane: Ndërtimi i ri me 3 kate dhe një kat nëntokësor; Rikonstruksioni i plotë i godinës historike që do ruajë detajet e arkitekturës unike të stilit Litoral në fasadën e saj por dhe në hapësirat e brendshme të kësaj godine; Zgjerimi i objektit ekzistues të Obsetrikës. Do të jetë një kantier i madh prej mbi 6 mijë metër katror, ku pjesën kryesore e zë godina e re, që përfshin shërbimet e laboratorit, imazherisë, urgjencës, Qendrën e Gruas si dhe dy shërbimet e Obsetrikës dhe Gjinekologjisë./tvklan.al







Të ngjashme