Koronavirusi nuk është murtaja. Fakti që je i infektuar me të nuk sjell patjetër vdekjen. Kështu deklaroi këtë të enjte mjeku i njohur Leonard Solis. Gjatë emisionit “Opinion” ai u shpreh se në përgjithësi njerëzit e kalojnë koronavirusin pa simptoma.

Sipas tij, ishte ky fakti pse ky virus u përhap kaq shumë, për shkak se ishte shumë tinëzar dhe i pakuptueshëm. Solis sqaroi se më të rrezikuarit janë të moshuarit, si dhe personat që vuajnë nga sëmundje të tjera.

Blendi Fevziu: Një pjesë e madhe e qytetarëve që më shkruajnë kanë një ankth u duket që po t’i prekë do të vdesin automatikisht. Perceptohet si murtaja për një pjesë e madhe e qytetarëve. shihen me mllef qytetarët e infektuar. Çfarë mund t’u thoshe qytetarëve?

Leonard Solis: Ka shumë të panjohura ende, por ajo që duket është që 80% dhe më shumë e njerëzve të cilët janë të shëndetshëm e kalojnë edhe asimptomatikë. Kjo ishte ana epidemiologjike pse u përhap kaq shumë. Ishte e pangjyrosur, e pakuptueshme, shumë tinëzare dhe një njeri që e kalonte shumë kollaj e përhapte tek tjetri.

Blendi Fevziu: Pra nuk të troket vdekja vetëm se infektohesh?

Leonard Solis: Jo! Shumica e kalojnë edhe asimptomatikë. Shumica e kalojnë mirë. Njerëzit që kanë probleme bashkëshoqëruese, të cilat janë mosha, është faktor risku. Persona që janë kardiopatë, hepatitë, diabet etj. Unë jam optimist që njerëzimi do t’i dalë edhe ne do t’ia dalim./tvklan.al