Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka qenë i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku ka folur më gjatë për situatën e Covid-19 në Shqipëri, si bëhet kurimi i pacientëve nëpër spitale etj.

Ndër të tjera ai është shprehur i lumtur për hapjen e shkollave dhe jep disa këshilla shumë të vlefshme për sjelljen e fëmijëve gjatë orarit mësimor.

Rudina Magjistari: Si e parashikoni ju këtë vit të ri shkollor?

Pëllumb Pipero: Hapja e shkollave në vendin tonë është një lajm shumë i mirë. Unë kam qenë një nga mbështetësit e fortë të shkollave. Institucioni arsimor, insititucioni shendetësor, institucioni prindëror ose familjar duhet të marrin përgjegjësitë, për të mundësuar respektimin e protokolleve.

Mësuesi dhe prindërit duhet të përpiqen fort ta edukojnë fëmijën pa e stresuar sepse ndryshe do bëjnë një dëm shumë të madh. Ata duhet t’i thonë “shiko ka një virus që mund të na prekë neve, mund të prekë të moshuarit, prek edhe fëmijët, juve nuk sëmureni vetë, por mund t’ja çoni virusin prindërve prandaj tregoni kujdes për duart, për maskën, për bangën etj.

Nëse tregojmë kujdes, nëse shkollat kanë ujë për të larë duart kur fëmija vete në banjo, nëpër klasa të ketë alkool që duhet të përshtatet për moshën, sepse jo çdo alkool është i mirë për moshën. Për fëmijët të mos jetë përqindja e alkoolit më e lartë sesa 60%.

Maska dhe distanca është shumë e rëndësishme. Prindërit përpiqen t’i blejnë fëmijëve maska me logo, emra lojtarësh etj, por është e gabuar. Maska më e mirë për fëmijët është ajo kirurgjikale sepse është e standartizuar, është vërtetuar që nuk pengon frymëmarrjen, ndërsa maskat e personalizuara, janë më të trasha dhe nuk i janë nënshtruar asnjë lloj kontrolli nga institucionet që kontrollojnë maska. /tvklan.al