I ftuar në programin “Historia ime”, në Tv Klan ishte mjeku pneumolog Ardian Jorgji.

Ai u shpreh se në periudhën që përfshin fundin e muajit Dhjetor dhe fillim i Janarit, ka patur pacientë me infeksione pulmonare dhe pneumoni me një sjellje jo të zakonshme. Duke lënë të nënkuptohet në këtë mënyrë, që mund të ketë patur raste me COVID që në atë periudhë.

Por ai nuk dëshiron të flasë më tej, për shkak se nuk janë konfirmuar me test.

Mirela Milori: Keni patur pacientë më COVID gjatë gjithë kësaj kohe, keni trajtuar, keni kuruar?

Ardian Jorgji: Me infeksione pulmonare dhe pneumoni, me një sjellje jo të zakonshme, atipike, unë mund të referoj raste për të mos thënë në fund të Dhjetorit – fillim i Janarit, edhe nga ana imazherike. Por ama këtu do t’i vë një çensurë vetes nga ana shkencore, për një arsye të thjeshtë: Thua që ke patur rast të tillë, në një kohë që ke konfirmuar me test.

Mirela Milori: Pra ju me imazheri mendoni që keni konstatuar që në fillim të Janarit?

Ardian Jorgji: Jo vetëm me imazheri, por edhe me klinikë, edhe me epidemiologji, edhe në bazë të historikut, udhëtime jashtë.

Mirela Milori: Pra ju mendoni që në fillim të Janarit, që keni konstatuar pacientët e parë me COVID?

Ardian Jorgji: Gjithsesi për mua kjo nuk përbën një rëndësi të madhe.

Mirela Milori: Ngaqë në këtë kohë ka një debat të madh për këtë, ka mjekë që thonë është e pavërtetë, ka mjekë që thonë Janarin.

Ardian Jorgji: Të them të drejtën nuk e kuptoj këtë debat. Vlerë për mua ky debat do kishte vetëm për një arsye të caktuar, për testimin e popullatës dhe afrimin korrekt të shërbimit mjekësor./tvklan.al