Pak ditë më parë, mjeku Dervish Hasi ka përfunduar nën hetim dhe arrest pas akuzave për shfrytëzimin e një vajze të mitur 16-vjeçare. Akuzat që rëndojnë mbi të janë trafikim i të miturve dhe pornografi.

Ai i ka mohuar këto akuza dhe pretendon se ka bërë kërkesë në gjykatë për autorizim për martesë. Hasi e prezantonte të miturën si gruan e tij të katërt. 42-vjeçari u vu në pranga pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe mbajtjes në vëzhgim të tij prej disa ditësh nga ku ka rezultuar se e mitura është shfrytëzuar prej tij për prostitucion për një periudhë 2-vjeçare.

Gazetarja Glidona Daci,  thotë në “Rudina” në Tv Klan se pas denoncimit të prindërve, efektivët e policisë  kanë shkuar në shtëpinë e mjekut dhe vajza e cila ka qenë me veshje ekstravagante, ka tentuar të veshë ferexhenë.

Glidona Daci: Një detaj shumë interesant, në momentin kur kanë shkuar efektivët e policisë sepse i ati ka bërë denoncimin dhe policia i ka ndjekur për të paktën një javë mjekun së bashku me vajzën, ka qenë i ati i cili i ka çuar për ta takuar sepse deri diku për të bindur mjekun dhe vajzën e tij kishte rënë dakord, por ndërkohë nga ana tjetër ishte bërë kallëzimi  në polici, ka shkuar dhe i ka çuar, mjeku ka marrë vajzën në makinë dhe ka shkuar te  shtëpia, te banesa ku ata qëndronin sepse vajza qëndronte me intervale të shkurtra kohore, 3-4 ditë, më pas kthehej sërish në shtëpinë e saj.

Vajza ka qenë me rroba, le të themi ekstravagante, nuk ka qenë me veshje të përshtatshme dhe në momentin që kanë hyrë efektivët e policisë, ka tentuar të veshë ferexhenë, ka tentuar të mbulohet sepse me sa kuptohet vajza është e indoktrinuar. Këto janë dyshimet paraprake që ka prokuroria, por nga ekspertiza e celularit, aty do të shohim se si ka nisur e gjithë kjo histori,  nëse ai e ka indoktrinuar dhe e ka detyruar vajzën që të shkojë dhe të predikojë besimin islam./tvklan.al