“Nuk ka asnjë alarm”

Mjeku kardiolog në Itali, Amarild Çuko, ka treguar se situata në Milano këtë të martë ka qenë pothuajse normale prej koronavirusit.

Gjatë një lidhje me Skype në emisionin “Opinion”, mjeku tregoi se Milano ndodhet pranë qytezave të cilat janë izoluar nga autoritetet për shkak të rasteve të shumta me Covid-19.

Ai theksoi se rasti i parë që u konfirmua me virusin është në Codogno, ndërsa ende nuk dihet pacienti zero.

Çuko tha se koronavirusi i ri është i ngjashëm me një grip normal. Moshat që prek më shumë janë ato të treta si dhe personat që vuajnë nga sëmundje të mëparshme.

Ai tha se brenda stafeve mjekësore në spitalet italiane nuk ka asnjë alarm.

“Virusi është shumë i ngjashëm me virus gripal normal. Simptomat janë si një grip normal. Është e vështirë. Publikimi i djeshëm i doktorit Wu tek Wuhan edhe ai thotë që simptomat janë të një gripi normal dhe inkubacioni mund të jetë deri në 21 ditë. Në pikën zero që në Itali akoma nuk dihet. Dihet pika një në Codogno, i cili është ende gjallë. Nuk është një person me sëmundje të tjera. Çdo person do ishte në rrezik edhe me një grip pak më agresiv. Brenda nuk ka asnjë alarm. Mjafton të studiohet mirë gjendja dhe të respektohen rreptësisht rregullat që duhet të respektojmë edhe me një grip normal”, tha Çuko. /tvklan.al