Në programin “Rudina” në Tv Klan ishte një mjek që jeton e punon prej 20 vitesh në Çikago. Bëhet fjalë për Mario Ademaj, i cili është mjek familjeje dhe mjek për sportistë. Klinika ku ai punon është një nga qendrat që përgatit ekipin e mjekëve dhe infermierëve për pandeminë dhe pacientët me simptoma.

Mario Ademaj: Ne jemi disa klinika, është një sistem i madh spitali i zonës ku jemi këtu, jemi disa klinika të ndryshme, por specifikisht klinika ku jam unë jemi caktuar si një nga vendet ku bëhen testet dhe nëse rezultojnë pozitiv dhe rrezikohen i shtrojmë tek spitali tonë. Roli i tij tek klinika ime është si një nga liderët për të përgatitur më shumë ekipin çfarë simptomash duhet të kemi parasysh kur vjen një pacient, kë duhet të bëjmë test dhe çfarë duhet të bëjmë kur dikush është pozitiv.

Në lidhje me situatën e krijuar si rezultat i pandemisë, Doktor Ademaj u shpreh se ka filluar paniku edhe sepse numri i personave të prekur është rritur së tepërmi. Por nga ana tjetër sipas tij ka dhe disa elementë pozitivë që duhen vlerësuar në këtë situatë sepse janë disa ilaçe që po bëhen test për momentin.

Mario Ademaj: Këtë javë ka filluar paniku, sidomos në pikat epidemike se çdo ditë po bëhet gati dyfish numri i personave të rinj të infektuar, sidomos në vendet si New York. Për momentin janë disa lajme që na trembin të gjithë, jo vetëm ju si publiku, por edhe ne si ekipi i mjekësisë. Nga ana tjetër janë edhe disa gjëra pozitive dhe unë në fakt dua të koncetrohem tek disa gjëra pozitive. Në radhë të parë janë disa ilaçe që po bëhen test për momentin, që kanë treguar pozitiv për infeksionin, janë disa vaksina që po studiohen, patjetër që do marrin disa muaj në krahasim me disa vite, që është procesi normal, por ka rezultate pozitive. /tvklan.al