Në vendet e zhvilluara mund të tingëllojë si një absurditet, por në Shqipëri është deri diku pjesë e shoqërisë. Pavarësisht zhvillimit të modernizimit dhe emancipimit të shoqërisë, në vendin tonë vazhdon ende të duket si anomali mbajtja e syzeve, e aq më tepër tek fëmijët e vegjël të cilët vendosen në shënjestër të fyerjeve dhe të bullizimeve.

Okulisti  Rubin Topi në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan tha se për këtë arsye shumë prindër refuzojnë që t’u vënë fëmijëve të tyre syze. Ai tregoi raste kur prindërit, edhe pas konfirmimeve të mjekëve, nuk pranojnë realitetin dhe refuzojnë të vendosin syzet për fëmijët e tyre.

Rubin Topi tregon dhe raste “ekstreme” të prindërve, kur qajnë dhe nuk pranojnë realitetin dhe arsyen.

Rubin Topi: Bota e zhvilluar nuk e koncepton do të këtë lloj stigmatizimi, syzet quhen si diçka aq shumë normale saqë nuk ka se ku të shkojë më. Në vendin tonë është normalizuar disi në mënyrë graduale, por megjithatë ne, në praktikën tonë të përditshme që ka raste ku prindi bëhet agresiv, nuk e pranon. Nuk e besoj, ti ia fakton dhe përsëri nuk e besojnë, refuzojnë realitetin, fillojnë të qajnë, sidomos nënat. Është një përjetim ekstrem.

Gazetarja: A ka që nuk ua vendosin syzet fëmijëve për shkak të këtyre?

Rubin Topi: Po! Ka që nuk ua vendosin dhe i shtyjnë sa të jetë e mundur. Më ka ndodhur që janë rikthyer pas një periudhe 1-vjeçare dhe kanë thënë ‘tano do ia vendosim doktor, sepse po ankohet shumë’./tvklan.al