I ftuar në programin “Rudina”, në TV Klan këtë pasdite ishte mjeku i përgjithshëm dhe patolog, Piro Paparisto. Ai tregoi për rëndësinë që ka qëndrimi në shtëpi i moshave të treta, si një nga moshat më të rrezikuara nga prekja e virusit.  

Piro Paparisto: Moshat e treta e kanë më të vështirë se të gjitha moshat e tjera përballjen me virusin, kjo është një nga faktet më të konfirmuara nga të gjithë dhe është realitet që nuk mund ta ndryshojmë dot ne, sado që të përpiqemi dhe sado që ata të duan. Për këtë arsye është shumë e rëndësishëm që kjo moshë duhet ta kuptojë më mirë se gjithë të tjerët, rëndësinë që ka izolimi dhe qëndrimi larg të tjerëve.

Më tej, mjeku tregon se kjo moshë i merr gjërat lehtë, prandaj duhet të dëgjojnë dhe besojnë më shumë specialistët.

Piro Paparisto: Unë mendoj se kjo është mosha që i merr pak gjërat lehtë, unë dëgjoj për shembull, pjesa më e madhe po hëngra hudhra s’më zë virusi, po piva çajra s’më kap virusi, kanë pirë njerëzit alkool me idenë se nuk i zë virusi. Këta duhet të besojnë dhe dëgjojnë specialistët, jo të mendojnë se unë e di më mirë. Duhet të kuptojnë se virusi nuk pyet për hudhra, çajra, për gjëra të tilla si këto apo ushqime dhe fruta. Kjo është një gjë, që nuk ka asnjë barrierë që mund t’i bëjë ballë deri sot, përveç izolimit në shtëpi./tvklan.al