Dekada më e famshme e modës, duket se është rikthyer sërish. Bëhet fjalë pikërisht për modën e viteve ’80, veshje dhe detaje të cilat duket se stilistët e modës kanë vendosur t’i risjellin edhe në vitin 2019. Asnjë periudhë në historinë e modës nuk ishte më eksperimentale dhe e guximshme sa vitet e 80-të. Aktorët, këngëtarët, modelet e atyre viteve, të cilët kanë bërë histori me veshjet e tyre, vazhdojnë të frymëzojnë edhe sot. Ikonë e kësaj dekade ishte padyshim Princeshë Diana, veshjet e së cilës janë në trend edhe sot.

Mbretëresha e Pop-it Madonna, e cila njihet për eksperimentet e saj me veshje ekstravagante, është gjithashtu një idhull mode e kësaj periudhe. Xhaketat e lëkurëse, look-u i saj në klipet e atyre viteve, është padyshim një burim frymëzimi duke adhuruar çdo detaj të veshjeve të saj. Nuk mund të mos përmendim edhe aktoret Brooke Shields, Jane Fonda, Demi Moore, Joan Collins, Kim Basinger, të cilat me veshjet e tyre kanë bërë revolucion dhe janë kthyer në idhuj mode për miliona njerëz.

Blogeret Arjena Duçi dhe Sarah Berisha ishin të ftuara në emisionin “Rudina” në Tv Klan, nga ku folën pikërisht për rikthimin e modës së viteve 80-të.

“Mua më pëlqen shumë moda e atyre viteve, ka qenë një dekadë e guximshme, plot ngjyra. Në vitet 80-të kemi parë ngjyra të forta si e verdha, lejlaja, portokallia, e kuqja, jeshilja apo edhe të gjitha ngjyrat bashkë. Kanë qenë në modë edhe krahët e gjëra, në këmisha apo xhaketa”,

tha Duçi.

Ndërkohë Berisha shtoi gjithashtu se është rikthyer sërish moda e kuadrateve, pikave, teminave dhe veshjet me masë të madhe.

/tvklan.al