SHBA-ja është tronditur nga një ngjarje e rëndë që ndodhi të mërkurën në Florida në një ndërtesë luksoze. Mediat shkruajnë se 27-vjeçarja Sabrina Krasniqi qëlloi me 5 plumba bashkëshortin e saj, Pajtim Krasniqi, 34 vjeç. Më pas e reja qëlloi veten dhe vdiq në vendngjarje.
Policia e Hallandale Beach thotë se shkoi në vendin e krimit pasi u dëgjuan krismat. Atje gjetën dy trupat e pajetë, në ballkonin e apartamentit në katin e 45. Ata ndërruan jetë në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të rënda.
Kjo ngjarje ka tronditur shumë familjarët e 34-vjeçarit.
“Gruaja e Pajtimit zgjodhi t’i merrte jetën vëllait tim kur e qëlloi me 5 plumba në kraharor. Personi të cilit i besoi më shumë, me të cilën zgjodhi të kalojë jetën ishte ajo që ia mori. Ajo e tradhtoi atë, dashurinë e tij dhe besimin që ai kishte. Ajo shkatërroi familjen time. Vëllezërit dhe motrat e mija nuk do të jenë më njësoj. Mamaja ime nuk do të jetë në gjendje ta marrë veten nga kjo ngjarje”, tha Albana Krasniqi Munrett, motra e 34-vjeçarit të vrarë.
Policisë nuk iu desh shumë kohë që të dilnin në përfundimin se ngjarja ishte vrasje dhe vetëvrasje.
Mediat shkruajnë se brenda apartamentit kishte një arush, tufë me trëndafila e një zemër në të ndërsa televizori ishte i ndezur.
“Dëgjuam të bërtitura dhe ishte e frikshme”, tha Max Braedlin, i cili jeton në të njëjtën rrugë. “Dëgjova të shtënat dhe për pak minuta erdhën makinat e policisë”, shtoi ai.
Sabrina, emri i vajzërisë i së cilës është Sabrina Xhaferoviç, ishte një modele. Në vitin 2021 ajo kishte marrë pjesë në një video të Inside Edition për të parë se si meshkujt i ngacmojnë femrat.
New York Post shkruan se dyshja ishin nga Kosova, por me origjinë shqiptare. Deri më tani, policia nuk e sqaron se cila ka qenë arsyeja pse modelja vrau burrin e më pas veten. Hetimet për këtë çështje po vazhdojnë./tvklan.al