Njomza Aliu tashmë prej vitesh është një nga prezantueset e dashura të ekranit të Klan Kosovës, që në fillimet e këtij televizioni. E apasionuar me profesionin e saj, ajo ia ka dalë të jetë e pëlqyer për publikun dhe rezistente në tregun mediatik.

Por televizioni duket se ka qenë një ogur i mirë edhe në aspektin personal të Njomzës, pasi aty është njohur dhe me bashkëshortin e saj, Arbenin dhe së bashku janë prindër të djalit të tyre 4-vjeçar, Lumi.

E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan moderatorja rrëfeu marrëdhënien me bashkëshortin dhe detaje nga ceremonia e dasmës së tyre.

“Arbenin e kam njohur kur kam punuar në programin e mëngjesit. Ai ka qenë pjesë e grafikës dhe unë e terrenit dhe studios. Kemi patur një miqësi shumë të mirë. Sa herë që mua më duhej të shkoja në një koncerte në Shkup apo diku tjetër ai më shoqëronte. Është person shumë pozitiv dhe me humor. Edhe kur je në vështirësi ai ka gjithmonë një batutë për të nxjerrë nga vështirësia. Humori i tij i mirë ka qenë një nga gjërat që më ka tërhequr tek ai si mik në fillim. Ne punojmë në departamente të ndryshme dhe orare të ndryshme. Tre vite pas lidhjes ne kemi bërë dasmën. Nuk ka qenë një dasmë tradicionale, nuk më pëlqen tradicionalja, bëhet shumë zhurmë. Unë doja një darkë të veçantë. Kemi qenë 30 persona në darkën e martesës”

, tha moderatorja.

/tvklan.al