NASA: Gjithçka është kthyer në normalitet

Për pak orë Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës është destabilizuar, pasi motorët e një moduli rus të sapoardhur janë ndezur pa dashje.

Problemi është vërejtur disa orë pasi moduli Nauka, ka arritur në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, pas tetë ditësh fluturimi.

Lajmin e ka konfirmuar agjencia amerikane për hapësirën NASA, duke sqaruar se ekipet e kontrollit e kanë rregulluar këtë gjë dhe të gjitha sistemet janë duke punuar në mënyrë normale.

Përmes një postimi në Twitter, NASA është shprehur se moduli ka nisur të aktivizohet pa dashje dhe papritur, duke lëvizur edhe stacionin nga vendqëndrimi.

Komunikimet me Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës kanë humbur për disa minuta gjatë incidentit.

Por zyrtarët amerikanë dhe ata rusë kanë garantuar se shtatë anëtarët që janë në stacionin hapësinor, nuk kanë qenë asnjëherë në rrezik.

Kozmonautët do ta përdorin hapësirën shtesë për të kryer eksperimente dhe për të ruajtur ngarkesat, si dhe njëherazi për të pushuar.

Tv Klan