Bashkimi Europian dhe Ballkani Perëndimor janë partnerë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, tha shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini para një takimi në Vjenë.

“Filluam dje dhe zhvilluam një diskutim shumë të dobishëm me ministrat e Mbrojtjes dhe Austrinë, e cila udhëheq BE-në, për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me Ballkanin Perëndimor. Dua ta theksoj këtë sepse tradicionalisht Ballkanin Perëndimor e përjetojmë si një rajon jostabiliteti, ku BE-ja ka qenë ajo që ka ofruar siguri për qytetarët”

, tha ajo.

“Austria, e cila po udhëheq me BE-në, po punon shkëlqyeshëm për ta mbajtur Ballkanin Perëndimor lart në agjendën e BE-së”,

ka shtuar Mogherini.

Në Vjenë, ministrat e Mbrojtjes dhe të punëve të Jashtme të BE-së, në një takim joformal po diskutojnë edhe për Ballkanin Perëndimor, me fokus zgjerimin.

Në këtë takim po marrin pjesë edhe përfaqësuesit e vendeve kandidate, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Turqisë./REL