Dënimi i grupit të Emiliano Shullazit me 55 vite burg u përshëndet edhe nga shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogerini, gjatë konferencës për takimin e 10-të të Këshillit të Stabilizim Asociimit të mbajtur në Bruksel.

“Pamë disa rezultate të mira dhe konkrete, sa i përket dënimeve me burg për anëtarët e një organizate të rëndësishme kriminale, nga Gjykata e Krimeve të Rënda një ditë më parë. Një shenjë jetike për vendosmërinë në betejën kundër krimit të organizuar”.

E pyetur nga Tv Klan lidhur me ngërçin e emërimit të Ministrit të Brendshëm, Zonja Mogherini theksoi se Brukseli pret që Ministria e Brendshme të jetë plotësisht funksionale.

“Është thelbësore për BE dhe vendet anëtarë të shoh punën e Ministrisë së Brendshme plotësisht funksionale dhe aktive, në mënyrë që të ketë një punë e rëndësishme në këtë fushë që është thelbësore për ne po edhe për qytetarët shqiptarë”.

Përfaqësuesja e Lartë e BE bëri thirrje edhe bashkëpunim mes partive politike në vend, për të ecur përpara me axhendën integruese të Shqipërisë.

“Ramë dakord se dialogu politik konstruktiv mbetet thelbësor për Shqipërinë në plotësimin e axhendës së reformave, kjo jo vetëm për BE por edhe për qytetarët e vendit tuaj. Ne presim që të gjitha partitë politike të punojnë në këtë drejtim”.

Mogherini dha vlerësime të larta për avancimin e Shqipërisë në Reformën në Drejtësi, veçanërisht në procesin e Vettingut.

Tv Klan