Bashkimi Europian reagon për zgjedhjet e 25 qershorit përmes një deklarate të përbashkët të Përfaqësueses së Lartë Federica Mogherini dhe Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn.

Brukseli thotë se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe të rregullt, por nuk munguan edhe parregullsitë.

“Qytetarët patën alternativa të gjera politike në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Bazuar në përfundimet paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, kandidatët kishin mundësi të bënin lirshëm fushatë dhe liritë themelore të grumbullimit dhe shprehjes u respektuan.”

Ndonëse nënvizon se korniza zgjedhore siguroi një bazë të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, nga ana tjetër BE deklaron se ka marrë parasysh rezervat e shprehura nga vëzhguesit lidhur me politizimin e organeve zgjedhore.

“Do të presim vlerësimin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, sidomos lidhur me akuzat për blerjen e votave dhe presionin ndaj votuesve, si edhe ndërhyrjen e aktivistëve të paautorizuar të partive, të cilët mund të dëmtojnë besimin e publikut në zgjedhje.”

Mogherini dhe Hahn theksojnë se në përfundim të procesit zgjedhor do të mbështesin qeverinë e re.

“Do të angazhohemi me qeverinë e re për të mbështetur procesin e reformave dhe për të vazhduar procesin e integrimit në BE. Vijimi i reformës së drejtësisë dhe lufta kundër kultivimit dhe trafikut të drogës do të kenë një rëndësi të veçantë.”

Për zgjedhjet e së dielës reagoi edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara e cila deklaroi se votimi u krye me efikasitet dhe në mënyrë paqësore në pjesën më të madhe të Qendrave të Votimit.

Sipas ambasadës vëzhguesit ndërkombëtarë dëshmuan incidente të blerjes së votës, fotografimit të fletës së votimit, dhe presonit ndaj votuesve. “Edhe pse disa nga shkeljet zgjedhore të dëshmuara ishin serioze dhe duhen adresuar, ato nuk ishin aq të përhapura sa të ndryshonin rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve” – thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane./Tv Klan