Shefja e Politikës së Jashtme BE i kërkon Komisionit Europian që në 17 Prill në progresraportin e tij të japë një rekomandim pozitiv pa kushte, për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe të njëjtën gjë kërkon të bëjë në Qershor, Këshilli i Ministrave të BE.

“Reformat e bëra janë shumë. Në këtë fazë ka rezultate konkrete. A duam të ecim përpara? Rrëzimi i Shqipërisë dhe Ballkanit nuk është në interes të BE. Integrimi është çështje interesash edhe për vetë BE. Në këto kohë flasim shumë për konkurrencë gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan, por unë them që nëse BE është aty në mënyrë të qëndrueshme, atëherë nuk ka hapësirë për lojtarë të tjerë në rajon. Tani është momenti. Dhe besoj ky do jetë objektivi im në 3-4 muaj e ardhshëm. Një rekomandim pozitiv pa kushte nga Komisioni në mënyrë që Këshilli Europian të vendosë në Qershor për çeljen e negociatave”.

Në takimin e organizuar nga miqtë e Shqipërisë në Parlamenti Europian në Bruksel vetë Kryeministri Rama thotë se Shqipëria e meriton çeljen e negociatave. Rezultatet e Vettingut, një proces që u vendos si kusht nga KE për vendin tonë, janë një arsye më shumë që kjo vendimmarrje të vijë në Qershor.

Si Mogherini dhe Rama pranojnë problemet me korrupsionin dhe krimin e organizuar, por siç thonë, këto fenomene i gjen dhe në vendet anëtare. E rëndësishme për të dy është vullneti për t’i luftuar.

Kryeministri thotë se vendet aspirante nuk mund të jenë “viktimat” e problemeve të brendshme të Unionit. Gjatë qëndrimit në Bruksel, Kryeministri duket se ka marrë dhe sigurinë nga kreu i Komisionit Europian, Johannes Hahn se në 17 Prill do të ketë një rekomandim pozitiv. Sipas Ramës, në bashkëbisedimin me Hahn u bë një bilanci i progresit të qëndrueshëm në adresimin e prioriteteve kyçe të integrimit dhe u theksua ecuria e procesit të Vettingut. Mbështetje për çeljen e negociatave, Rama mori dhe nga homologu belg, Charls Mishel.

Tv Klan