Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, viziton sot Kosovën. Mogherini pritet të flasë në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës. Vizita e saj vjen një ditë pasi Komisioni Evropian i ka propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Me këtë propozim, Kosova do të vendoset në listën e vendeve që mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Kosova është e fundit në proceset integruese edhe për shkak të mungesës së konsensusit brenda Bashkimit Evropian. Ajo është vendi i vetëm në Evropën Juglindore, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Kosova mori udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në qershor të vitit 2012.

Ajo është e fundit që nënshkroi marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian e cila u mundësua për shkak të marrëveshjeve me Serbinë, e cila ndërkaq hapi kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian./

tvklan.al