Nuk kam asgjë të përbashkët me pronat e nipave apo familjarëve të mi”, kështu i ka komentuar Presidenti Moisiu akuzat e bëra ndaj tij kohët e fundit mbi konfliktin e interesave në pozicionin e tij si kryetar shteti.

Alfred Moisiu: “Për sa i përket problemit të kompanisë ajrore, unë mund të them që nuk kam asgjë të përbashkët me atë dhe nipat e mi apo të afërmit e mi, janë qytetarë të këtij vendi dhe në kushtet e ekonomisë së tregut ata kanë të drejtat e tyre siç kanë dhe detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre ligjore ndaj ligjeve të këtij shteti dhe, në qoftë se dikush i shkel, të përgjigjet deri më një.”

Deklarata e Presidentit është bërë gjatë takimit që ka zhvilluar me mediat për të bërë bilancin e premtieve dhe rezultateve konkretetë vitit 2004 dhe prezantimin e prioriteteve për vitin në vazhdim. Ndër angazhimet e tij konkrete të vitit të kaluar, Moisiu e ka vënë theksin te reforma në sistemin e drejtësisë dhe përgatitja për vitin e ardhshëm e ligjit të ri për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë; miratimi i ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe kompensimin e ish-të burgosurve politikë si dhe miratimin në muajt e parë të vitit 2005 të ligjit për konfliktin e interesave dhe reformimit të sistemit të forcave politike dhe fushatave elektorale. Edhe pse ndër prioritet kryesore të tij do të jenë zgjedhjet e ardhshme, Moisiu nuk ka pranuar të japë mesazhe konkrete për politikanët shqiptarë, pavarsisht insistimit të mediave.

Alfred Moisiu: “Vlerësoj se nuk është në interesin e zhvillimeve demokratike të humbet kaq shumë kohë për realizimin e reformës zgjedhore; për masa më efektive kundër korrupsionit; për garantimin e plotë të pavarsisë së institucioneve kushtetuese dhe për përmbushjen e standardeve të integrimit.”

Edhe në 2005-ën Presidenti Moisiu deklaroi se do të jetë në detyrë:

Alfred Moisiu: “Për të nxitur përpjekjet dhe angazhimet e institucioneve përgjegjëse dhe forcave politike për çuarjen më përpara të reformave integruese, rritjes së transparencës politike, veshjen e politikës me qytetari si dhe forcimin e mentalitetit demokratik ligjor në shoqërinë tonë.”

Vitin 2005 Moisiu e konsideroi vendimtar edhe për Kosovën, viti i statusit, të cilin, Kosova, u shpreh Presidenti, e tregoi me zgjedhjet e fundit se e meriton plotësisht. /tvklan.al