Kirurgët ia kanë dalë të kryejnë transplantin e parë të fshikëzës së urinës, një ndërhyrje që mund të ndihmojë mijëra njerëz.
41-vjeçari Oscar Larrainzar është i pari person që i nënshtrohet kësaj ndërhyrjeje. The Sun shkruan se ai e kishte humbur pjesën më të madhe të organit gjatë heqjes së tumorit.
Pjesa e mbetur e fshikëzës ishte shumë e vogël për të funksionuar dhe të dyja veshkat iu hoqën për shkak të kancerit dhe degradimit të tyre. Prej 7 vitesh, ai bën dializë.

Ndërhyrja e kryer nga UCLA Health dhe Keck Medicine of USC që përfshiu transplantin e fshikëzës dhe veshkës së re nga një dhurues, zgjati 9 orë. Mjekët thanë se rezultatet u panë shumë shpejt.
“Veshka prodhoi menjëherë një sasi të madhe urine dhe funksioni iu përmirësua shpejt. Nuk kishte nevojë për dializë pas ndërhyrjes dhe urina kaloi në fshikëzën e re”, tha Nima Nassiri.
Nuk dihet se sa mirë do të funksionojë fshikëza e transplantuar dhe sa terapi do të duhet për të parandaluar refuzimin e organeve të reja nga organizmi. Deri më tani, gjendja e pacientit ka qenë e qëndrueshme.

Transplantet e fshikëzës urinare nuk janë kryer më parë për shkak të strukturës së ndërlikuar vaskulare në zonën e legenit dhe vështirësisë teknike.
Trajtimet e tanishme konsistojnë në zëvendësimin ose zgjatimin e rezervuarit urinar ku përdoret një pjesë e zorrëve për të krijuar një fshikëz “të re” ose një kanal që urina të dalë nga trupi./tvklan.al