Në internet janë shpërndarë me shpejtësi momentet e fundit të jetës së drejtueses të një prej karteleve më të frikshme në Meksikë. Sipas mediave konfirmohet se ajo është María Guadalupe López Esquivel, e cila njihej si “La Catrina”. Karteli i saj, në Tetor të vitit të kaluar, masakroi 13 policë.

21-vjeçarja gjeti vdekjen pas një sulmi të ushtrisë, gardës kombëtare dhe policisë në La Bocanda, një qytet në qendër të shtetit Michoacán.

Në video shfaqet e reja, e cila është qëlluar në qafë, çka është bërë shkak që të humbasë jetën prej humbjes së gjakut. Ajo është ulur dhe ka vështirësi në frymëmarrje ndërsa një ushtar i afrohet dhe i thotë të qetësohet sepse po vjen një helikopter.

Në pamje të tjera, një ushtar e mban në krahë López Esquivel, për ta çuar në helikopter. Fillimisht identiteti i saj nuk u bë i ditur, por të dielën u zbulua gjithçka për shkak të tatuazhit të saj në kofshë.

Gjatë këtij aksioni që u zhvillua të premten, policia arrestoi edhe 6 persona të tjerë të armatosur, ndërsa një grua humbi jetën për shkak të të shtënave. Aksioni ndaj këtij karteli u zhvillua në vendin ku u vranë edhe policët vitin e kaluar. Ajo ishte duke u takuar me drejtuesin e një karteli tjetër, i cili i shpëtoi sulmit.  

Kush është “La Catrina”?

López Esquivel mbante pseudonimin “La Catrina” për shkak të Zonjës së Vdekjes, e cila njihet në Meksikë gjatë ditës së të vdekurve. Figurën e saj, bosja e kartelit e kishte tatuazh në këmbë.

Në disa raste, femrat kanë mbajtur pozicione të larta në kartele si pastruese parash, por është e rrallë që ato të komandojnë ose të koordinojnë sulme ndaj policisë. Ajo ishte larguar nga qyteti ku ishte rritur për të jetuar me një anëtar të kartelit Jalisco në vitin 2017.

Ajo u bë e njohur sidomos pas sulmit ndaj policëve në Tetor. Këta të fundit po ushtronin kontroll në një banesë në El Aguaje, kur u zunë në pritë nga banda. 13 efektivë humbën jetën, ndërsa 9 të tjerë mbetën të plagosur.

Gjatë operacionit të së premtes, policia gjeti edhe regjistrime të cilat vërtetonin se “La Catrina” paguante spiunë 210 dollarë në javë që t’i jepnin informacion kartelit të saj./tvklan.al