Ky është momenti i arrestimit të dy të rinjve shqiptarë në Londër, ku brenda makinës së tyre u gjetën disa kilogramë kokainë dhe qindra mijëra Paund.

Sipas asaj që shkruajnë mediat britanike dy personat që kanë rënë në pranga janë M. Baca, 26 vjeç dhe E. Hazizolli, 24 vjeç. Mësohet se dy të rinjtë janë nga qyteti i Elbasanit.

Aksioni për kapjen e tyre është bërë më 6 Prill nga agjentët e krimit. Sipas asaj që mësohet, ata u ndaluan në një makinë në Edgëare, si pjesë e një hetimi për krimin e organizuar.

Në momentin e operacionit policor, mjeti po drejtohej nga Baca, ndërsa Hazizolli ishte në sediljen e parë. Pas një kontrolli të bërë në makinë, oficerët gjetën një çantë dhe një valixhe.

Brenda çantës, dy të rinjtë kishin fshehur 14 kilogramë kokainë, vlera e të cilës nëse do të dilte në rrugë do të shkonte në 1.4 milionë Paund. Ndërsa në valixhe ishin fshehur 200 000 Paund.

Në polici, Baca dhe Hazizolli kanë mohuar akuzat. Megjithatë i pari që pranoi fajësinë, më 8 Prill, ishte Baca. Ai akuzohet për posedim me qëllim shpërndarjen e drogave të klasit A dhe pastrim parash.

Ndërkohë, Hazizolli ka pranuar fajësinë pothuajse një muaj më vonë, më 6 Maj për të njëjtat akuza. Vendimi për dy të rinjtë do të jepet më 1 Qershor./tvklan.al